Shqipëria me karburantin më të shtrenjtë në Europë në raport me të ardhurat…

Shpërndaje

Shqipëria rezulton vendi me karburantin më të shtrenjtë në Europë në raport me të ardhurat e qytetarëve. Një analizë e bërë nga Monitor, bazuar në të dhënat e Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Global Petrol Prices, tregon se pesha e çmimit të naftës mbi të ardhurat e shqiptarëve është më e larta në kontinent.

Sipas të dhënave të FMN-së, të ardhurat mesatare për frymë në Shqipëri për vitin 2026 janë rreth 12 mijë dollarë në vit, ose afërsisht 33 dollarë në ditë. Ndërkohë, një litër naftë në vend tregtohet rreth 200 lekë, ose rreth 2.4 dollarë. Kjo do të thotë se një qytetari shqiptar i duhen rreth 7.2% e të ardhurave ditore për të blerë vetëm një litër karburant.

Krahasuar me vendet e rajonit, kjo peshë është dukshëm më e lartë. Në Serbi një litër naftë përfaqëson rreth 3.7% të të ardhurave ditore, në Mal të Zi rreth 3.6%, ndërsa në Rumani rreth 2.8%. Edhe në Greqi, ku çmimet e karburantit janë relativisht të larta, pesha është rreth 2.5%.

Në vendet më të zhvilluara të Europës diferenca është edhe më e madhe. Në shtete si Italia, Franca, Gjermania apo Belgjika, një litër karburant zakonisht përfaqëson më pak se 2% të të ardhurave ditore. Ndërkohë në Holanda, e cila ka ndër çmimet më të larta në Europë në vlerë absolute, qytetarëve u duhet vetëm rreth 1.1% e të ardhurave ditore për të blerë një litër naftë.

Një nga arsyet kryesore të çmimeve të larta në Shqipëri mbetet pesha e madhe e taksave, të cilat përbëjnë rreth 60% të çmimit final të karburantit. Përveç kësaj, në tregun vendas vërehet shpesh që rritjet e çmimeve në bursat ndërkombëtare reflektohen shumë shpejt, ndërsa uljet transmetohen më ngadalë.

Karburanti mbetet një nga kostot kryesore për transportin dhe logjistikën, ndaj çmimet e larta ndikojnë drejtpërdrejt në shpenzimet e familjeve dhe në rritjen e kostove për bizneset.

Shpërndaje