Ndërtimet pa leje në Ranën e Hedhur, Prokuroria e Lezhës çon për gjykim 9 persona…

Shpërndaje

Prokuroria pranë Gjykatës së Lezhës ka mbyllur hetimet për çështjen e ndërtimeve pa leje në zonën turistike të Ranës së Hedhur, në Shëngjin, dhe ka dërguar për gjykim 9 persona të përfshirë në këtë dosje. Mes tyre ndodhen ish-zyrtarë të institucioneve shtetërore, një punonjës policie, ndërtuesi si dhe dy inxhinierë.

Sipas organit të akuzës, ish-drejtuesit e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës në Lezhë, Gentjan Malota, Artur Shabaku dhe Admir Maxhani, akuzohen për veprën penale “shpërdorim detyre”.

Me të njëjtën akuzë përballen edhe dy ish-drejtues të Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit, Kol Malaj dhe Flori Gjini, si dhe efektivi i policisë së zonës së Shëngjinit, Martin Ndoka.

Ndërtuesi Pjetër Tuci akuzohet për “ndërtim të paligjshëm” dhe “falsifikim të vulave, stampave ose formularëve”.

Në dosje janë përfshirë gjithashtu edhe dy inxhinierë ndërtimi, Luiza Bala dhe Hekuran Xhina, të cilët dyshohet se kanë kryer veprën penale të “falsifikimit të dokumenteve”.

Tashmë çështja i kalon për shqyrtim gjykatës, e cila do të vendosë mbi përgjegjësinë penale të të pandehurve lidhur me ndërtimet pa leje në zonën bregdetare të Ranës së Hedhur, një nga destinacionet më të frekuentuara turistike pranë Shëngjinit.

Shpërndaje