
Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar bëri të ditur të mërkurën se droni që goditi bazën e Forcave Ajrore Mbretërore (RAF) në Qipron greke në fillim të javës nuk ishte lëshuar nga Irani. Në të njëjtën kohë, Londra konfirmoi se operacionet ajrore mbrojtëse në Lindjen e Mesme vijojnë pa ndërprerje.
Sipas deklaratës zyrtare, mjeti ajror pa pilot, i përshkruar si i ngjashëm me modelin “Shahed”, shënjestroi bazën RAF Akrotiri në orët e para të 2 marsit, por nuk kishte origjinë iraniane. Njoftimi u publikua në platformën sociale X.
Autoritetet britanike theksuan gjithashtu se avionët luftarakë Eurofighter Typhoon dhe F-35B Lightning II kanë zhvilluar patrullime gjatë natës në rajon, me qëllim mbrojtjen e interesave britanike dhe të forcave aleate. Këto misione janë mbështetur nga avionët cisternë Airbus Voyager për furnizim në ajër.
Ministria bëri me dije se gjatë 24 orëve të fundit janë rifurnizuar sistemet e mbrojtjes ajrore në bazat britanike dhe ato të partnerëve në rajon, përfshirë edhe raketa të prodhuara në Britani. Po ashtu, në ditët në vijim pritet që në Qipro të mbërrijnë helikopterë Wildcat të Marinës Mbretërore, të pajisur me raketa Martlet për neutralizimin e kërcënimeve ajrore.
Më herët, zyrtarët britanikë konfirmuan se një dron ra në pistën e bazës RAF Akrotiri pa shkaktuar viktima apo dëme të mëdha, ndërsa dy mjete të tjera ajrore që po i afroheshin objektit u neutralizuan.
Mbretëria e Bashkuar ka dy baza ushtarake në territorin e Administratës greko-qipriote.




