
Numri i qytetarëve që po zgjedhin të sigurohen vullnetarisht për pension pleqërie në qarkun e Shkodrës është në rritje. Sipas drejtueses së degës rajonale të Sigurimeve Shoqërore, në këtë drejtim kanë ndikuar ndryshimet ligjore që garantojnë përfitimet që rrjedhin nga sigurimi vullnetar si edhe marrëveshjet dypalëshe të Shqipërisë me disa shtete për njohjen e periudhave të sigurimit për emigrantët.
“Nga 257 kontribues që kemi pasur në vitin 2022, sot kemi rreth 338 kontribues dhe nga këta 109 janë persona që jetojnë jashtë shtetit. Vihet re tendenca e rritjes këto vitet e fundit për shkak edhe të marrëveshjes me Italinë e shtetet e tjera”, deklaroi Violeta Staka, Drejtore e ISSH Shkodër.
Një rritje e ndjeshme është shënuar edhe në sigurimin e të vetëpunësuarve në sektorin e bujqësisë. Brenda dy viteve të fundit, numri i të vetëpunësuarve të siguruar është dyfishuar, duke arritur në mbi 4 mijë persona në rang qarku.
“Ne si sigurime shoqërore trajtojmë të vetëpunësuarit në bujqësi. Ka rritje të konsiderueshme nga rreth 2200 në 2023, sot janë 4100 persona që kontribues të kësaj skeme. Ka një rritje goxha të madhe. Këtë e shohim dhe në realizimin e të ardhurave. Vetëm në këtë periudhë ne jemi rreth 15 mln lekë të reja më shumë të mbledhura nga kjo kategori kontribuesish”, shtoi Staka.
Aktualisht, vlera minimale e sigurimit vullnetar për të gjitha kategoritë është 120 mijë lekë në vit. Ndërkohë ekziston edhe mundësia e blerjes së periudhave kontributive për plotësimin e viteve të nevojshme për pension./rtsh




