Pas një qetësie relative, Shqipëria i është rikthyer sërish fenomenit të kultivimi të kanabisit. Të dhënat zyrtare, të siguruara në mënyrë ekskluzive nga “Boldnews.al” tregojnë se në 9 muajt e parë të vitit 2019 është dyfishuar numri i procedimeve penale penale për “kultivim të lëndëve narkotike”, krahasuar me të gjithë vitin 2018.
Numri i procedimeve penale vijon të ketë tendencë rritjeje dhe, deri në fund të këtij viti, pritet që ato të trefishohen. Deri në Shtator 2019, Prokuroria e Përgjithshme informon se janë regjistruar në rang vendi 556 procedime penale për “kultivim narkotikësh”, krahasuar me 292 procedime të regjistruara në vitin 2018.
Burime zyrtare nga Policia e Shtetit e shohin rritjen e numrit të procedimeve penale si një shenjë e efikasitetit të luftës së saj në terren. Por, në fakt, rritja e procedimeve penale dëshmon tërësisht të kundërtën. Ato janë konfirmim se grupet kriminale i janë rikthyer aktivitetit të kundër-ligjshëm, pas stokut të kanabisit të krijuar nga mbjelljet e periudhës 2015-2017.
Institucionet ligjzbatuese, përfshirë Policinë e Shtetit dhe Prokurorinë, e konsideruan arritje të suksesshme uljen e procedimeve penale për kultivim kanabisi gjatë vitit 2018.
Në raportin për Gjendjen e Kriminalitetit për vitin 2018, Prokuroria e Përgjithshme deklaronte se: “…në uljen në tërësi të numrit të procedimeve të regjistruara për këto grup veprash, kanë ndikuar si masat e marra në kuadrin e bashkëpunimit ndërinstitucional në nivel qëndror dhe vendor në luftën kundër kultivimit dhe trafikimit të narkotikëve….”.
Referuar këtij përshkrimi, e kundërta, pra rritja e numrit të procedimeve për këtë vepër penale rrjedhimisht dëshmon për uljen e efiçensës në luftën kundër kultivimit të kanabisit.
Dyfishimi i kultivimit
Prokuroria e Përgjithshme, në një përgjigje zyrtare për “Boldnews.al” deklaron se “numri i procedimeve penale të regjistruara në Prokurori gjatë vitit 2019 për veprën penale të ‘kultivimit të lëndëve narkotike’, parashikuar nga neni 284 i Kodit Penal është 556”.
Rrethi me numrin më të lartë të procedimeve penale të regjistruara për kultivim narkotikësh për vitin 2019 është Kruja. Sipas të dhënave zyrtare, Prokuroria e këtij qyteti ka regjistruar gjatë 9 muajve të këtij viti 210 procedime penale, rreth 3 herë më shumë se sa ato të vitit 2018, të cilat ishin në shifrën e 88 procedimeve penale.Pas Krujës, qyteti me numrin më të lartë të procedimeve për kultivim kanabis është Vlora. Për vitin 2019, Prokuroria e qytetit bregdetar ka regjistruar 74 procedime penale, nga 22 që kishte një vit më parë.
Gjirokastra, pas aksionit të vitit 2014 në Lazarat, tashmë është rikthyer në top-listën e qyteteve me numrin më të lartë të procedimeve për kultivim kanabis. Në 9 muajt e parë të vitit 2019, Prokuroria e qytetit jugor ka regjistruar 50 procedime për këtë vepër penale, ndërkohë që gjatë vitit 2018 kishte një shifër më të ulët, 37 të tilla, referuar raportit që kjo strukturë ka deklaruar në Prokurorinë e Përgjithshme.
Rritje të procedimeve penale për kultivim narkotikësh janë shënuar edhe në qytetet e Durrësit, Kurbinit, Beratit, Elbasanit, Fierit, Korçës, Matit dhe Tiranës.
Në disa qytete të tjera, numri i procedimeve penale është pak a shumë i njëjtë me atë të një viti më parë.
Ndryshim bëjnë vetëm Shkodra dhe Lezha, prokuroritë e të cilave, gjatë 9-mujorit 2019, kanë regjistruar numër më të ulët procedimesh penale, krahasuar me një vit më parë.
Në bazë të të dhënave zyrtare, Prokuroria e Shkodrës ka regjistruar 49 procedime për vitin 2019, krahasuar me 123 të një viti më parë. Po ashtu, edhe prokuroria e Lezhës, ka regjistruar 8 procedime penale për kultivim narkotikësh për vitin 2019, ndërkohë që një vit më parë ishin 17 të tilla.