Saimir Rrustemi zgjidhet kryetar i ri i IPA Skodrini…

Shpërndaje

Asambleja e IPA Skodrini, degë e IPA Albania, zhvilloi mbledhjen e radhës për zgjedhjen e drejtuesve të rinj, pas transferimit në Tiranë të kryetares së deritanishme, Edra Beci. IPA është shoqata që përfaqëson Policinë Shqiptare në Organizatën Ndërkombëtare të Policisë.

Presidenti i IPA Albania, Skënder Doda, vlerësoi rolin e IPA Skodrini, duke e cilësuar atë si një nga strukturat më aktive dhe shtyllë kryesore të shoqatës në rang kombëtar. Duke folur për përfaqësimin ndërkombëtar të Policisë Shqiptare, Doda theksoi se prezenca në aktivitetet e IPA-së, edhe vetëm përmes uniformës zyrtare, është një element domethënës i promovimit të saj.

Aktiviteti u përshëndet gjithashtu nga shefi i Komisariatit të Policisë Shkodër, Bekim Lika, presidentja e IPA Mal i Zi, Biljana Duloviç, si dhe nënkryetari i Bashkisë Shkodër, Alban Preka.
Në përfundim të punimeve, Asambleja zgjodhi me votim të fshehtë kryetar të IPA Skodrini drejtorin e Policisë Bashkiake të Shkodrës, Saimir Rrustemi. Ai vjen me një eksperiencë të gjatë në Policinë e Shtetit, ku ka mbajtur funksione të ndryshme drejtuese, përfshirë shef krimesh dhe shef rendi, ndërsa aktualisht drejton Policinë Bashkiake.

Ndërkohë, zëdhënësja e Policisë Shkodër, Arsida Tahiraj, u zgjodh në detyrën e sekretares së IPA Skodrini.

Gjatë aktivitetit u shpërndanë edhe certifikata mirënjohjeje për disa prej anëtarëve të shoqatës. IPA Skodrini përfshin efektivë dhe ish-efektivë të Policisë nga qarqet e Shkodrës, Lezhës, Kukësit dhe Dibrës.

Shpërndaje