
Një incident i rëndë ka ndodhur këtë të hënë në burgun e sigurisë së lartë Koridhalo në Greqi, ku ka humbur jetën shtetasi shqiptar Jani Aliaj, një person me precedentë të shumtë penalë.
Sipas të dhënave paraprake, 49-vjeçari me origjinë nga Tepelena është sulmuar për vdekje nga një i burgosur grek në sektorin 3 të institucionit të vuajtjes së dënimit. Autori i dyshuar raportohet se është gjithashtu i dënuar për vrasje.
Policia greke ka nisur hetimet për të sqaruar rrethanat e plota të ngjarjes, ndërsa në pistat që po shqyrtohen përfshihet edhe mundësia e një ekzekutimi të porositur.
Jani Aliaj ishte shpallur fajtor dhe dënuar me burgim të përjetshëm në Shqipëri për vrasjen e Elton Çiços, e ndodhur më 1 maj 2016 në zonën e ish-Bllokut në Tiranë, për motive hakmarrjeje. Pas kësaj ngjarjeje, ai kishte qëndruar në arrati për rreth nëntë vite, deri në kapjen e tij në Athinë.
Arrestimi i tij u bë më 3 janar 2025, ndërsa përdorte identitet të rremë me emrin “Aleksan Kreshnik”. Përveç kësaj çështjeje, ai kërkohej edhe për një episod tjetër kriminal në Shqipëri, të regjistruar në vitin 2015 në Përmet, ku gjatë një tentative për vjedhje lënde narkotike pati persona të plagosur. Për këtë rast, ndaj tij rëndonin tre akuza penale.
Autoritetet greke bëjnë me dije se Aliaj kishte një të kaluar kriminale edhe në Greqi. Ai ishte dënuar me burgim të përjetshëm, si dhe dënime shtesë, për një vrasje, plagosje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje, të ndodhura në Athinë në vitin 2006.
Më vonë, ai ishte arratisur nga burgu i Korfuzit, duke u shpallur në kërkim edhe nga drejtësia greke.
Aktualisht, autoritetet e të dy vendeve po bashkëpunojnë për shkëmbimin e informacionit, ndërsa hetimet vazhdojnë për të përcaktuar motivin real të vrasjes dhe nëse ajo lidhet me konflikte të mëparshme kriminale apo përplasje mes grupeve.




