
Një shtetas shqiptar do të deportohet nga Mbretëria e Bashkuar për herë të pestë, pasi u gjet i fshehur në pjesën e pasme të një rimorkioje të mbyllur, e cila ishte nisur drejt fabrikës së “Nissan” në Sunderland.
Romeo Zani, 32 vjeç, ka shkelur vazhdimisht një urdhër deportimi pa afat që nga viti 2017, kur ra për herë të parë në kontakt me autoritetet kufitare britanike (Border Force). Në atë kohë, ai pranoi se kishte hyrë në Britani i fshehur në një kamion dhe se kishte punuar ilegalisht.
Pavarësisht se është deportuar disa herë, Zani ka vijuar të rikthehet në Mbretërinë e Bashkuar duke përdorur metoda të ndryshme, përfshirë edhe hyrjen me jaht në portin e Falmouth.
Gjykata e Kurorës në Newcastle u informua se, në përpjekjen e fundit, Zani kishte paguar 5,000 paund për t’u kontrabanduar nga Belgjika drejt Britanisë. Ai pretendoi se jeta e tij ishte në rrezik në Shqipëri, por gjykata theksoi se më parë kishte deklaruar se nuk kishte frikë nga kthimi në vendlindje.
Që nga viti 2017, ai ka vuajtur dënime me burg për vepra të ndryshme penale, përfshirë posedim dokumentesh false identiteti, përfshirje në trafik droge dhe pastrim parash. Po ashtu, ka kaluar më shumë se një vit në arrati, duke shkelur urdhrat e deportimit.
Zani u deportua për herë të parë në dhjetor 2017 dhe sërish në mars 2019, pasi iu vendos një urdhër deportimi pa afat. Ai u rikthye në vitin 2021, u arrestua më vonë, paraqiti një kërkesë për azil që u refuzua dhe u deportua përsëri në maj 2024.
Në gusht 2025, ai u burgos dhe u deportua për herë të katërt pasi u gjet në një jaht. Në dhjetor u zbulua sërish, këtë herë i fshehur në një rimorkio.
Duke e dënuar me dy vite burg për shkeljen e tretë të urdhrit të deportimit, gjyqtari Nicholas Worsley deklaroi se përsëritja e këtyre veprave minon shoqërinë dhe favorizon kriminalitetin.
Pas përfundimit të dënimit, Romeo Zani do të deportohet nga Mbretëria e Bashkuar për herë të pestë.




