
Në zonën “Rasek”, në Qarkun e Shkodrës, aktiviteti minerar nuk zhvillohet në një territor të largët apo të izoluar, por në afërsi të drejtpërdrejtë me banesat, në një hapësirë me ndjeshmëri të lartë natyrore dhe kulturore. Aty ku duhej të sundonin rregullat, distancat mbrojtëse dhe kontrolli institucional, aktiviteti minerar ka avancuar më shpejt se ligji.
Shoqëria Babasi COO sh.p.k., me nënkontraktor NGA G sh.p.k., ushtron aktivitet në zonën minerare Nr. 2/6 “Rasek”, por mënyra se si ky aktivitet është miratuar, menaxhuar dhe mbikëqyrur ngre dyshime serioze për respektimin e standardeve ligjore, mjedisore dhe institucionale.
Minierë jashtë hartës, brenda rrezikut
Një nga faktet më shqetësuese është se aktiviteti në terren nuk përputhet me koordinatat e miratuara për shfrytëzim minerar. Në praktikë, puna minerare zhvillohet rreth 200 metra në vijë ajrore nga banesat më të afërta, një distancë alarmuese që vë në rrezik komunitetin lokal dhe cenon çdo parim të sigurisë publike.
Kjo situatë nuk është thjesht një devijim teknik, por pasojë e një problemi më të thellë: mungesës së rregullave të qarta dhe standardeve të detyrueshme për distancat mbrojtëse ndërmjet aktiviteteve minerare dhe zonave të banuara. Një boshllëk normativ që, në rastin e “Rasek”, është shndërruar në rrezik real.
Punime mbi një territor me histori
Rreziku nuk kufizohet vetëm te banorët. Zona ku zhvillohet aktiviteti minerar njihet si territor me potencial të lartë arkeologjik dhe është përfshirë në projektin kërkimor shkencor “Vëzhgime për njohje në zonën kodrinore të Shqipërisë veriperëndimore”.
Megjithatë, sipas inspektimeve të Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare Shkodër, nuk është marrë leja e detyrueshme nga Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë, siç kërkon ligji nr. 27/2018. Në këto kushte, ligji parashikon ndërprerjen e menjëhershme të punimeve dhe ndjekjen e procedurave pranë Agjencisë së Shërbimit Arkeologjik. Në terren, ndërkohë, aktiviteti ka vijuar.
Mjedisi i miratuar në letër
Problematikat thellohen edhe më tej në aspektin mjedisor. Objekti minerar nuk rezulton të jetë përfshirë në Vlerësimin Strategjik të Ndikimeve në Mjedis, duke shmangur një nga filtrat kryesorë ligjorë për parandalimin e dëmeve afatgjata.
Raporti i thelluar i Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis është miratuar, pavarësisht faktit se nuk është shoqëruar me tre certifikata të ekspertëve të mjedisit, por vetëm me një. Një mangësi thelbësore, e cila megjithatë nuk ka penguar dhënien e miratimit nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit.
Mbetje jashtë lejes dhe kontroll i munguar
Në terren, shkeljet janë edhe më të dukshme. Mbetjet minerare janë depozituar jashtë perimetrit të lejes së miratuar, duke tejkaluar kufijtë ligjorë të aktivitetit dhe duke shtuar ndikimin negativ në mjedis.
Sipas raportit të KLSH nga të dhënat e monitorimit rezulton se aktiviteti minerar i subjekteve Babasi COO sh.p.k. dhe NGA G sh.p.k. nuk është monitoruar për periudha 6-mujore gjatë viteve 2019, 2020 dhe 2024, një fakt që ekspozon mungesën e kontrollit institucional dhe dobësinë e mekanizmave mbikëqyrës.
Kompania “Nga Group” me aksioner Aleksandër Shytani dhe Ernest Ranzi me qëndër në shkodër ka marr leje për aktivitet minerar. Ndërsa kompania tjetër “Babasi Coo” ka aksioner dhe administrator Ndriçim Babasin.
Një histori që nuk është vetëm lokale
Rasti i “Rasek” nuk është thjesht një konflikt mes një kompanie dhe një zone të caktuar. Ai përfaqëson një model shqetësues, ku procedurat formale mbeten në letër, ndërsa aktiviteti real zhvillohet përtej kufijve të ligjit. Kur miniera afrohet te shtëpitë, kur trashëgimia kulturore anashkalohet dhe mjedisi mbetet pa mbrojtje reale, pyetja nuk është më nëse ka shkelje, por kush mban përgjegjësi për to? /PiranjatNews/




