
Policia e Shkodrës ka njoftuar se segmenti rrugor “Bogë – Qafë Thore – Theth” do të qëndrojë i mbyllur gjatë orëve të natës, për shkak të rrezikut të lartë nga ortekët e dëborës dhe përkeqësimit të kushteve atmosferike.
Sipas uniformave blu, vendimi është marrë pas analizës së riskut dhe konsultimeve me inxhinierët e firmës kontraktore që mirëmban rrugën, duke vlerësuar se qarkullimi i automjeteve paraqet rrezik serioz për sigurinë e drejtuesve të mjeteve, edhe për shkak të kufizimit të dukshmërisë.
Segmenti do të mbetet i bllokuar deri në orët e mëngjesit, ndërsa kalimi do të lejohet vetëm në raste emergjente dhe vetëm në shoqërim nga mjetet borëpastruese dhe shërbimet e Policisë.
Policia u bën thirrje qytetarëve të respektojnë udhëzimet e strukturave në terren dhe, në rast nevoje apo emergjence, të kontaktojnë numrin 112.




