
Sot përkujtohen 22 vite nga një prej tragjedive më të rënda të emigracionit shqiptar, ajo e 9 janarit 2004 në gjirin e Vlorës, ku një gomone që po transportonte ilegalisht shqiptarë drejt Italisë u përmbys në det të hapur.
Pasojat ishin dramatike: 21 persona humbën jetën, ndërsa 7 të tjerë rezultojnë ende të zhdukur, pasi trupat e tyre nuk u gjetën kurrë. Viktimat u konstatuan zyrtarisht mëngjesin e 10 janarit, kur trupat u pikasën nga një helikopter i NATO-s së ushtrisë italiane.
Shumica e të mbyturve ishin të rinj nga Qarku i Shkodrës, të moshave 15–33 vjeç, djem e vajza që kishin zgjedhur rrugën e rrezikshme të emigrimit, me shpresën për një jetë më të mirë. 11 persona arritën të mbijetojnë, mes tyre edhe skafistët.
Emigrantët kishin paguar rreth 1500 euro secili për kalimin drejt brigjeve italiane, por udhëtimi u shndërrua në një tragjedi që la pas dhimbje të pashlyeshme dhe shumë pikëpyetje.
Ngjarja nuk është zbardhur plotësisht as pas më shumë se dy dekadash. Vetëm 13 vite më vonë, u realizua ekstradimi në Shqipëri i njërit prej skafistëve, Elton Tafili, i cili u dënua nga Gjykata e Vlorës me 25 vite burg për trafikim të qenieve njerëzore me qëllim emigracionin e paligjshëm.
Familjarët e viktimave, të organizuar në shoqatë, depozituan disa vite më parë një kallëzim penal në SPAK, por dosja u refuzua dhe u rikthye për shqyrtim në Gjykatën e Vlorës.
Ata vijojnë të kërkojnë zbardhjen e plotë të tragjedisë dhe vënien para përgjegjësisë të ish-zyrtarëve të Policisë së Vlorës dhe të Ministrisë së Brendshme, duke e konsideruar këtë ngjarje një plagë ende të hapur për drejtësinë dhe shoqërinë shqiptare./RealiteitPost




