Vrasja me tritol në Shkodër: zbardhen detaje të reja nga hetimet…

Shpërndaje

Ndërsa katër personat e arrestuar për vrasjen me eksploziv të 67-vjeçarit Hysni Ymeri pritet të dalin të hënën para gjykatës për caktimin e masës së sigurisë, hetimet kanë nxjerrë në dritë elementë të rinj që hedhin më shumë dritë mbi dinamikën e krimit.

Sipas grupit hetimor, njëri prej të dyshuarve, 27-vjeçari Gerti Bushati, dyshohet se ka marrë 1 mijë euro për vendosjen e lëndës plasëse në paketën elektrike të pallatit ku banonte viktima. Shuma e parave është gjetur dhe sekuestruar gjatë kontrollit në banesën e tij. Ende nuk është e qartë nëse atij i ishte premtuar një pagesë shtesë pas kryerjes së aktit.

Hetuesit konfirmojnë se Bushati është identifikuar falë pamjeve të kamerave të sigurisë, të cilat e kanë fiksuar në zonë, si edhe në momentin kur ndërron rrobat pas vendosjes së tritolit. Ai shfaqet i veshur me kominoshe të hedhura sipër rrobave të zakonshme, të cilat më pas i ka hequr dhe i ka flakur pranë lumit. Pamjet janë regjistruar nga kamerat e një biznesi aty pranë, ndërsa veshjet janë sekuestruar si prova materiale.

Nga verifikimet rezulton se në ditën e ngjarjes, në lagjen “Manush Alimani”, ndodheshin edhe dy të arrestuarit e tjerë, Ergys Ibrahimi dhe Edison Hasaj. Dyshimet e forta të policisë janë se shpërthimi i telekomanduar është aktivizuar nga Ergys Ibrahimi në momentin kur Hysni Ymeri po ngjitej drejt banesës së tij.

Fillimisht ngjarja u konsiderua si aksidentale, për shkak të një defekti në rrjetin elektrik, por kjo pistë u rrëzua më pas nga OSHEE. Pas shpërthimit, të dyshuarit u shoqëruan në polici dhe u vendosën nën përgjim ambiental. Pa qenë në dijeni të kësaj, ata kanë komunikuar mes tyre, duke ndihmuar hetimin.

Sipas policisë, asnjëri prej të arrestuarve nuk ka pasur konflikt të drejtpërdrejtë me viktimën. Ende mbetet e paqartë se kush është porositësi i vërtetë i krimit dhe cili ka qenë motivi i vrasjes së 67-vjeçarit.

Të arrestuarit do të përballen në gjykatë me akuza të rënda, përfshirë “Vrasje me paramendim” në bashkëpunim, “Shkatërrim i pronës me eksploziv”, armëmbajtje pa leje, “Prodhim dhe shitje të narkotikëve” në bashkëpunim, si dhe “Prishje e qetësisë publike”.

Shpërndaje