
Izraeli do të revokojë licencat e 37 grupeve të ndihmës që punojnë në Gaza dhe Bregun Perëndimor të pushtuar, duke thënë se ato nuk i kanë përmbushur kërkesat sipas rregullave të reja të regjistrimit. Organizatat e njohura ndërkombëtare joqeveritare si ActionAid, Komiteti Ndërkombëtar i Shpëtimit dhe Këshilli Norvegjez për Refugjatët janë mes atyre që do t’u pezullohen licencat nga 1 janari, teksa operacionet e tyre që do të përfundojnë brenda 60 ditëve.
Sipas Izraelit këto organizata nuk kishin dorëzuar të dhënat e plota personale të stafit të tyre. Ky vendim u kritikua ashpër nga 10 vende. Në një deklaratë të përbashkët, ministrat e jashtëm të Mbretërisë së Bashkuar, Francës, Kanadasë, Danimarkës, Finlandës, Islandës, Japonisë, Norvegjisë, Suedisë dhe Zvicrës thanë se mbyllja e operacioneve humanitare do të ketë një ndikim të rëndë në qasjen në shërbimet thelbësore, përfshirë kujdesin shëndetësor në territorin palestinez.
“Mbi 1.3 milion banorë kanë ende nevojë për mbështetje urgjente për strehim. Më shumë se gjysma e institucioneve shëndetësore janë vetëm pjesërisht funksionale dhe përballen me mungesa të pajisjeve dhe furnizimeve thelbësore mjekësore.”- thuhet në deklaratën e tyre.
Duke e cilësuar katastrofike situatën humanitare në Gaza, ato vende i bënë thirrje qeverisë izraelit të sigurojë që Organizatat Joqeveritare ndërkombëtare të veprojnë në një mënyrë të qëndrueshme dhe të parashikueshme.
Ministria e Çështjeve të Diasporës e Izraelit, e cila është përgjegjëse për aplikimet për regjistrim, ka thënë se masat e reja nuk do të ndikojnë në furnizimet humanitare në Gazë, ndërsa shtoi se ndihma vazhdon të ofrohet përmes kanaleve të miratuara dhe të verifikuara, duke përfshirë agjencitë e OKB-së.




