
Prokuroria e Shkodrës ka goditur pasurinë e shtetasit Brigeno Binoshaj, duke vendosur sekuestro mbi automjete, mjete motorike dhe llogari bankare në emër të tij dhe të familjarëve.
Vendimi është marrë nga Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, në kuadër të ligjit për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit dhe korrupsionit përmes masave parandaluese ndaj pasurisë.
Sipas hetimeve, Brigeno Binoshaj rezulton i dënuar më parë nga autoritetet franceze për trafikim të lëndëve narkotike.
Pas verifikimeve financiare, organet ligjzbatuese kanë konstatuar dyshime serioze se ai dhe familjarët e tij zotërojnë pasuri dhe të ardhura të pajustifikuara, të cilat nuk përputhen me nivelin e të ardhurave të ligjshme të deklaruara.
Si rezultat, janë sekuestruar një sërë mjetesh luksoze dhe mjete motorike, konkretisht, një Mercedes Benz S600L, dy motorë Piaggio Gilera dhe Yamaha MT09 në emër të Brigeno Binoshajt, si dhe automjeti Volkswagen Golf 2.0 TDI dhe një motor Yamaha YP250R në emër të familjarit G.B. Po ashtu, është sekuestruar edhe një automjet Lancia Y në emër të E.B.
Në kuadër të të njëjtit vendim, gjykata ka urdhëruar edhe bllokimin e të gjitha llogarive bankare në emër të Brigeno Binoshajt dhe familjarëve të tij.
Hetimet për verifikimin e burimit të pasurive vijojnë, ndërsa autoritetet theksojnë se masat janë marrë për të parandaluar përdorimin e pasurive të dyshuara si produkt i veprimtarive kriminale.




