SPAK zbulon skemë të dyshuar pastrimi parash në dosjen AKSHI, 10 milionë euro përmes faturave fiktive…

Shpërndaje

Hetimet e SPAK në dosjen AKSHI kanë zbuluar jo vetëm ndikimin e një grupi kriminal në tendera, por edhe një skemë të dyshuar të transferimit dhe pastrimit të parave. Sipas dosjes hetimore, në periudhën 2018–2021, rreth 10 milionë euro janë transferuar përmes faturave drejt një kompanie që merret me tregtimin e çokollatave dhe biskotave.
Në këtë çështje është proceduar edhe biznesmeni Rogers Rryta, administrator i kompanisë Mega Distribution, e cila operon në fushën e import–eksportit të produkteve ushqimore dhe veshjeve. Ai ka deklaruar përpara BKH se aktiviteti i kompanisë së tij lidhet vetëm me ushqime dhe tekstile, duke theksuar se përfaqësojnë markën ULKER dhe se nuk kanë asnjë lidhje me fushën e teknologjisë apo IT-së.

Rryta ka pranuar marrëdhënie tregtare me kompanitë Fastech dhe Soft & Solution, por ka deklaruar se nuk mban mend rrethanat e nisjes së tyre. Sipas tij, fondet e përfituara gjatë viteve 2018, 2020 dhe 2021 janë pagesa të rregullta për shitje produktesh ushqimore dhe janë përdorur për vijimin e aktivitetit tregtar. Ai ka mohuar njohje apo marrëdhënie me persona të tjerë të përmendur në dosje.

Nga ana tjetër, pronari i Fastech, Andis Papa, fillimisht ka pretenduar se pagesat miliona euro kishin të bënin me shërbime teknologjike. Megjithatë, pas përballjes me provat e BKH-së, ai ka ndryshuar deklarimin, duke pohuar se nuk është i sigurt për natyrën e mallrave dhe se bëhej fjalë për produkte të importuara nga Turqia.

Për Rogers Rrytën dhe Andis Papën, SPAK dhe GJKKO kanë vendosur masën e sigurisë bllokim pasaporte, ndërsa hetimet për këtë dosje vijojnë.

Shpërndaje