
Gjatë vitit 2025, Shqipëria ka regjistruar 39 vrasje në periudhën 1 janar – 30 nëntor. Në 8 prej tyre, autorët ende nuk janë identifikuar apo arrestuar. Rastet janë përhapur në disa qytete, por Shkodra dhe Lezha mbeten zonat me numrin më të lartë të vrasjeve të pazbardhura.
Ngjarja e parë u shënua më 27 shkurt në Shkodër, ku u vra Pavlin Preka, pa asnjë autor të ndaluar deri tani. Më 17 prill në Lezhë u vra Gjovalin Prendi, ndërsa më 1 qershor, po në këtë qark, humbi jetën Pjetër Kaza. Të dyja ngjarjet vijojnë të mbeten pa autorë.
Më 4 gusht, një tjetër vrasje u regjistrua në Vau të Dejës, ku u ekzekutua Frrok Lleshaj. Edhe ky rast nuk ka sjellë arrestime. Shkodra u trondit sërish më 4 shtator, me vrasjen e Kristjan Kolës, e cila mbetet ende e pazbardhur.
Në muajin tetor, Lezha shënoi vrasjen e tretë pa autorë të arrestuar, më 3 tetor, ku u vra Gjergj Tusha. Vetëm një ditë më pas, më 4 tetor, në Sarandë u vra Isuf Jacaj, pa asnjë person të vënë në pranga.
Rasti më i fundit ndodhi më 11 nëntor në Rinas, ku u vranë dy persona, Gilmando Dani dhe Muçi Shaljani Sheqeri. Edhe për këtë ngjarje, autorët vijojnë të jenë të lirë, ndërsa hetimet janë ende në proces.
Pavarësisht sekuestrimit të kamerave të sigurisë dhe marrjes në pyetje të personave të ndryshëm nga grupet hetimore, këto vrasje mbeten pa zbardhje, duke ngritur shqetësime serioze për sigurinë dhe efikasitetin e hetimeve.




