
Gjykata e Durrësit ka vendosur lirimin me kusht të Arbër Paplekajt, ish-efektiv i RENEA-s, i përfshirë në përplasjen me armë të ndodhur në Elbasan, pak ditë para zgjedhjeve parlamentare të vitit 2021. Në kërkesën e tij, Paplekaj ka argumentuar se ka shlyer pjesën dërrmuese të dënimit.
Më herët, Gjykata e Apelit kishte rishikuar vendimin e Gjykatës së Elbasanit, duke ia ulur masën e dënimit nga 22 në 7 vite burg, si dhe duke e rikualifikuar veprën penale nga “vrasje në rrethana cilësuese” në “vrasje në kushtet e tronditjes psikike”.
Si pasojë e shkëmbimit të zjarrit humbi jetën Pjerin Xhuvani, ndërsa mbetën të plagosur Emiljani Prenga dhe Paulin Vuksani nga radhët e Partisë Demokratike, Edjon Budani, dhëndri i viktimës, si dhe efektivja e policisë Xhensila Sota.
Ngjarja u regjistrua pas një konflikti mes grupeve elektorale rivale. Sipas hetimeve, një strukturë informale e Partisë Demokratike për “mbrojtjen e votës” ndaloi automjetin e Mehmet Grecës, me dyshimin se ai po shpërndante para në favor të Partisë Socialiste. Pas kësaj, Greca kërkoi ndihmën e Pjerin Xhuvanit, ndërsa nga pala tjetër vepronte struktura e PD-së në Elbasan, ku bënte pjesë edhe Paplekaj.




