Korrupsioni në Arsimin e Lartë, Alarmi prek edhe Universitetin e Shkodrës…

Shpërndaje

Universitetet publike vazhdojnë të përballen me skandale korrupsioni, sipas një analize të Qëndresës Qytetare për periudhën 2021–2025. Në këtë interval, prokuroritë kanë vënë nën akuzë 50 pedagogë të institucioneve të arsimit të lartë. Rastet shfaqen në disa qytete: në Shkodër janë evidentuar 13 pedagogë të përfshirë (5 me hetime të mbyllura, 3 të çuar për gjykim dhe 5 ende në proces), ndërsa në Elbasan figurojnë 9 pedagogë të tjerë (1 në gjykim, 1 me mosfillim dhe 7 nën hetim, tashmë nën kompetencën e SPAK).

Gjatë vitit 2025, SPAK mbylli hetimet për 27 zyrtarë të Universitetit Bujqësor të Tiranës, përfshirë staf akademik dhe administrativ.

Nga sondazhet e zhvilluara, korrupsioni perceptohet nga rreth 90% e studentëve të tetë universiteteve të marra në shqyrtim. Përqindjet më të larta të perceptimit shfaqen në Universitetin Bujqësor të Tiranës, Universitetin e Mjekësisë dhe atë “Fan S. Noli” në Korçë, ku arrijnë deri në 96%. Më i ulëti, por sërish shqetësues, rezulton Universiteti “Aleksandër Xhuvani” i Elbasanit me 77.5%.

Sa i përket përvojave personale, më të prekshmit rezultojnë studentët e Universitetit të Mjekësisë (26.25%) dhe të Universitetit të Shkodrës (25%). Ndërkohë, pagesa për marrjen e notës duket më problematike në Universitetin Bujqësor (59.62%) dhe në atë të Korçës (56.15%), ndërsa më pak e pranishme në Shkodër (35.33%). Detyrimi për të blerë libra shihet kryesisht në Universitetin e Shkodrës, ku këtë e deklarojnë mbi 32% e studentëve./RealitetiPost

Shpërndaje