
Roja i sigurisë së gjykatës, Banush Koxhaj, i arrestuar pas vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja brenda sallës së gjyqit, është lënë në “arrest shtëpie” nga Gjykata e Apelit Tiranë. Vendimi erdhi pas vlerësimit të gjendjes së tij të rënduar shëndetësore, pasi ai prej kohësh vuante nga diabeti.
Koxhaj mbetet nën hetim për moskryerje të detyrës, pasi në momentin kur Elvis dhe Gjon Shkambi hynë të armatosur në ambientet e gjykatës, ai nuk reagoi sipas protokollit të sigurisë. Edhe pse skaneri kishte sinjalizuar praninë e objekteve metalike, ai nuk kreu kontroll fizik dhe vijoi të qëndronte i ulur, duke lejuar që Elvis Shkambi të futej në sallë me armë.
Në momentin kur gjyqtari Kalaja shpalli vendimin, Elvis Shkambi nxori pistoletën “Welt Waffen Browning” dhe e ekzekutoi në vend, ndërsa hetimi për gjithë zinxhirin e përgjegjësive vijon.




