HIV/AIDS në Shqipëri: Rritje e rasteve, më të prekur moshat 25–45 vjeç…

Shpërndaje

Numri i personave të prekur nga HIV/AIDS në Shqipëri vijon të mbetet i qëndrueshëm. Sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik, gjatë periudhës janar–tetor 2025 janë identifikuar 125 raste të reja, nga të cilat 98 janë meshkuj dhe 27 femra. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024, ka një rritje të lehtë me 6 raste më shumë.

Mjekja infeksioniste në QSUT, Esmeralda Meta, shprehet se virusi shfaqet më së shumti tek grupmoshat 25–45 vjeç, për shkak të jetës më aktive seksuale dhe sjelljeve me rrezikshmëri më të lartë.
Sipas saj, çdo muaj paraqiten raste të reja dhe shumica i përkasin moshës së rritur, ku evidentohen si faza të hershme të infeksionit HIV, ashtu edhe raste të zhvilluara në AIDS.

Rruga kryesore e transmetimit mbetet kontakti seksual. Faktorë të tjerë rreziku janë përdorimi i substancave narkotike me shiringa të përbashkëta dhe transmetimi nëpërmjet gjakut, përfshirë edhe kalimin e virusit nga nëna tek fëmija. Për këtë arsye, mjekët bëjnë apel që çdo grua shtatzënë të kryejë testimin sa më herët, pasi depistimi i shpejtë është mënyra e vetme për të parandaluar transmetimin.

HIV mund të qëndrojë për vite në trup pa dhënë shenja, por me kalimin e kohës shkakton dobësim të sistemit imunitar, duke hapur rrugë infeksioneve të rënda bakteriale dhe madje edhe sëmundjeve tumorale e onkologjike.

Shpërndaje