
Prej tre ditësh, veçanërisht gjatë fundjavës, Pediatria e Spitalit Rajonal Shkodër po përballet me një rritje të ndjeshme të vizitave. Shefja e shërbimit, Greta Naraçi, shpjegon se pediatria mbulon urgjencën, vizitat ambulatore në poliklinikë dhe shërbimet në lagje, çka bën që shumë raste që nuk trajtohen në kohë në poliklinika të përfundojnë në spital.
Vetëm gjatë ditës së djeshme janë paraqitur rreth 40 fëmijë për urgjencë, pa llogaritur vizitat e tjera ambulatore. Mjekja thekson se prindërit duhet të shmangin mjekimin pa recetë, sidomos përdorimin e antibiotikëve, pasi ato nuk kanë efekt ndaj virozave dhe rrisin rezistencën bakteriale kur merren pa nevojë.
Specialistët theksojnë se shumica e virozave menaxhohen me hidratim, pushim dhe vëzhgim të gjendjes së fëmijës, ndërsa spitali duhet kërkuar vetëm kur paraqiten shenja komplikacionesh.




