
Mirel Çokaj u gjet i pajetë në një humnerë në zonën malore të Kozhnjes më 18 shtator, por familja e tij beson se nuk kemi të bëjmë me aksident. Në AMP është dorëzuar një kallëzim ndaj katër efektivëve të policisë së Malësisë së Madhe, të cilët – sipas familjarëve – nuk kryen hetimet siç duhej dhe nuk siguruan provat fillestare të ngjarjes.
Fillimisht policia e raportoi si rrëshqitje aksidentale, por familja ka pretenduar që në momentet e para se Mireli është vrarë nga bashkëpunëtorët me të cilët kishte një parcelë kanabisi, parcelë që pak ditë më parë ishte asgjësuar nga policia. Trupi i tij u nxor një ditë më vonë me ndihmën e ushtrisë dhe një helikopteri.
Pas denoncimit të familjes, prokuroria e Shkodrës e ka hapur çështjen për “shkaktim të vetëvrasjes”, duke mos e pushuar si aksident, dhe po merr në pyetje të gjitha palët për të përcaktuar nëse bëhet fjalë për vrasje. Nëna, motra dhe një kushëri i viktimës që jeton në SHBA – ish-oficer policie – janë shprehur të bindur se Mireli është eliminuar për t’i marrë pjesën e fitimit nga kultivimi i bimëve narkotike, të cilat ishin gati për t’u korrur.
Familja, përveç kallëzimit në prokurori, ka dërguar edhe ankesën në AMP ndaj dy oficerëve të krimeve dhe dy efektivëve të shërbimit të komisariatit të Malësisë së Madhe. Tani pritet që AMP të verifikojë nëse ka pasur shkelje apo shpërdorim detyre gjatë fazës së parë të hetimit.




