
Ish-kryebashkiaku i Shkodrës, Bardh Spahia, është paraqitur sot në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), ku po zhvillohet seanca gjyqësore ndaj tij.
Spahia akuzohet nga SPAK për veprën penale të “pengimit të ekzekutimit të vendimeve të gjykatës”. Çështja lidhet me ish-punonjësin e bashkisë, Mark Molla, i cili ishte shkarkuar nga detyra gjatë kohës që Spahia drejtonte Bashkinë e Shkodrës. Vendimi i gjykatës për rikthimin e tij në detyrë, sipas organit të akuzës, nuk është zbatuar, çka përbën shkelje ligjore.
Nga ana e tij, Bardh Spahia ka mohuar akuzat, duke theksuar se në rastin e Mollës është zbatuar në mënyrë të plotë ligji dhe se çdo veprim është i dokumentuar. Ai ka kërkuar më herët pushimin e çështjes, duke u vetëdeklaruar i pafajshëm dhe duke theksuar se akuzat nuk mbështeten në fakte reale.




