Nga Musa Kurtulaj: Tronditëse mungesa e studentëve të fizikës!…

Shpërndaje

Nga Musa Kurtulaj

Tronditëse – mungesa e studentëve të fizikës !

Për herë të parë në historinë shumëdekadëshe të Universitetit “Luigj Gurakuqi” Shkodër, asnjë student nuk është regjistruar në vitin e parë për degën e fizikës, ndërkohë që në disa lëndë të tjera ka rritje të numërit të studentëve në krahasim me vitin e kaluar.Një fakt që në pamje të parë mund të duket i zakonshëm, por në thelb është një kambanë alarmi për gjithë sistemin arsimor shqiptar. Tregon krizën e thellë të interesit për shkencat e vështira, mungesën e politikave më efektive nxitëse për dijen, dhe mungesën e një vizioni më të qartë për të ardhmen teknologjike të vendit.

Shkodra ka qenë për dekada qendër e rëndësishme e formimit të mësuesve dhe studiuesve, që kanë ndriçuar shkollat e Shqipërisë.
Të mos kesh më asnjë student në vitin e parë të degës së fizikës, nuk është statistikë e thjeshtë — është plagë kulturore, është shuajtje e një tradite që e ka bërë këtë qytet simbol të arsimit shqiptar.

Nisur nga ky shqetësim, mbështetur në konsultën me informacione e përvoja, që ofron interneti për çështje të tilla, rëndita radhët e mëposhtme të këtij shkrimi.

Çfarë tregon kjo për sistemin tonë arsimor ?

Kjo situatë zbulon probleme të mëdha: Rënia e figurës së mësuesit – profesion akoma pa status të merituar.

Frika nga shkencat e vështira – shumë të rinj shmangin fizikën, kimine apo matematikën për degë më të “lehta”.

Mungesë vizioni zyrtar të qartë për shkencat ekzakte – në kohën kur bota investon në kërkime shkencore, ne ka dekada që mbyllim laboratorë…!
Në këtë mënyrë, universitetet mbeten bosh, dhe shkollat pa mësues të rinj që të ndezin dritën e dijes.

A janë të domosdoshëm fizikantët sot?

Sot, më shumë se kurrë janë të domozdoshëm !
Fizikantët janë inovatorët e kohës moderne.
Pa ta nuk do të kishim:
energji të pastër, satelitë, internet, celularë;

teknologji mjekësore si MRI e lazeri;

zhvillime në inteligjencë artificiale dhe kompjuterë kuantikë.
Fizika është motori i çdo përparimi teknologjik.
Të mos investosh në fizikë, do të thotë të mbetesh spektator i botës moderne.

Si e vlerëson bota fizikën ?

Në universitetet më të mëdha të botës, fizika është shkenca themelore e kërkimit dhe inovacionit.
Çmimi Nobel në Fizikë mbetet simboli më i lartë i përparimit njerëzor.
Shtetet që investojnë në fizikë, investojnë në të ardhmen — sepse çdo shpikje, çdo teknologji e re, buron nga kërkimi fizik.

Në Shqipëri, ndërkohë, rëndësia për shkencën e fizikës ka njohur rënie marramendëse !
Në vend të dritës së neoneve të dijes, kemi dritën e telefonave!!!

Nevoja për ndërgjegjësim dhe veprim

Kjo situatë nuk është dënim, por mundësi për zgjim.Nevojitet një politikë e re që:
të nxisë studentët me bursa për degët e shkencave ekzakte;

të ringjallë figurën e mësuesit të fizikës;

të lidhë universitetet me sektorin e teknologjisë dhe industrisë.

Një mesazh për maturantët:

Ata kanë rastin të bëhen brezi që rikthen dritën duke mos pasur frikë nga fizika !
Ajo është shkenca që i paraprin çdo zhvillimi, rruga që të çon drejt inovacionit, drejt universit, drejt vetëkuptimit të botës.Në një kohë kur bota vrapon drejt inteligjencës artificiale, energjisë së qëndrueshme dhe teknologjisë kuantike, shoqëria ka nevojë për njerëz që kuptojnë ligjet e natyrës.Nëse e duam dijen, logjikën, kërkimin, krijimin – fizika është rruga brezit të maturantëve.
Shkodra, dhe Shqipëria, kanë nevojë për fizikantë të panumërt
sepse, pa fizikantë, nuk ka kush të ndezë dritat e së ardhmes. E mos ardhët kurr ajo ditë që të mos kemi kush të ndezi dritat e së ardhmes !

Shpërndaje