102-vjetori i Republikës së Turqisë u festua në Shkodër me ekspozitën “Miqësia në ngjyra”…

Shpërndaje

Në kuadër të 102-vjetorit të shpalljes së Republikës së Turqisë, Kampusi “Maarif” në Shkodër zhvilloi një sërë aktivitetesh kulturore, duke e shndërruar këtë ditë në një urë miqësie mes Shqipërisë dhe Turqisë.

Në hollin e Bashkisë Shkodër u çel ekspozita “Miqësia në ngjyra”, e përbashkët për tre degët e shkollave “Maarif” në Shkodër, Tiranë dhe Elbasan. Punimet e ekspozuara, të realizuara nga nxënësit, pasqyronin bukuritë natyrore të Turqisë dhe njëkohësisht motive nga Shkodra, si simbol i bashkëpunimit dhe afërsisë mes dy popujve.

Drejtori i shkollës “Maarif” në Shkodër, Harun Kocaman, theksoi rëndësinë e kësaj dite historike:

“29 tetori i vitit 1923 shënoi lindjen e Republikës së Turqisë. Këtë përvjetor e kemi përkujtuar përmes artit të fëmijëve tanë, të cilët nëpërmjet ngjyrave kanë shprehur miqësinë shqiptaro-turke dhe respektin për këtë datë të veçantë.”

Ai shtoi se aktiviteti u organizua në bashkëpunim mes tre kampuseve të “Maarif” në Shqipëri, me mbështetjen e Bashkisë Shkodër, e cila ofroi ambientet për zhvillimin e ekspozitës.

Të pranishëm në këtë veprimtari ishin përfaqësues të Bashkisë Shkodër, të Drejtorisë Arsimore dhe rektori Tonin Gjuraj, të cilët vlerësuan nismën si një shembull të mirë të bashkëpunimit kulturor dhe arsimor mes dy vendeve.

Dita e Republikës së Turqisë, që festohet më 29 tetor, përkujton shpalljen e saj në vitin 1923 nga Mustafa Kemal Ataturku, themeluesi dhe presidenti i parë i Turqisë moderne.

Shpërndaje