Vetëvaret në burgun e Reçit amerikani që vrau bashkëshorten në Shkodër..

Shpërndaje

Brendon Ronald Saporito, 57-vjeçari amerikan që disa muaj më parë vrau bashkëshorten e tij, Sandra Saporito, ka humbur jetën në burgun e Shkodrës, pasi dyshohet se është vetëvarur në qelinë e tij.

Burime nga institucioni bëjnë me dije se Saporito u gjet nga bashkëvuajtësit në gjendje kritike dhe u dërgua menjëherë në urgjencën e burgut, ku mjekët konstatuan se kishte ende puls. Ai u transportua me shpejtësi drejt Spitalit të Koplikut, por pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor, nuk arriti të mbijetonte.

Sipas njoftimit zyrtar të IEVP Shkodër, ngjarja ndodhi në datën 28 tetor 2025. Saporito, i lindur më 22 prill 1968 në SHBA, ndodhej në paraburgim pas vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, që i kishte caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për akuzën e “vrasjes për shkak të marrëdhënieve familjare”. Ai ishte arrestuar më 2 maj dhe ishte transferuar në institucion më 4 maj 2025.

Autoritetet kanë nisur hetimet për të sqaruar rrethanat e ngjarjes, ndërsa Drejtoria e IEVP Shkodër po bashkëpunon me Prokurorinë dhe Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm në Burgje për dokumentimin e plotë të saj.

Shpërndaje