Kalaja e Drishtit në pritje të investimit/ Projekti FSHZH-së synon rikualifikimin e lagjes së kalasë…

Shpërndaje

Afro 15 kilometra larg qytetit të Shkodrës, Kalaja e Drishtit mbetet një nga të paktat site historike në vend që vazhdon të jetë i banuar.

Brenda mureve të saj jetojnë aktualisht 10 familje, të cilat kujdesen vetë edhe për muzeun modest, që ndodhet në qendër të kalasë, i cili tërheq interesin e turistëve kryesisht të huaj.

Sipas Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore, vëmendja ndaj Kalasë së Drishtit është përqendruar kryesisht në mirëmbajtjen dhe pastrimin e hapësirave të brendshme.

Në 30 vitet e fundit, investimet e vetme kanë qenë ndërtimi i rrugës që të çon drejt kalasë, e vendosur rreth 800 metra mbi nivelin e detit, si dhe ndërtimi i muzeut brenda saj.

Ndërkohë,  pritet të nisë zbatimi i një projekti të Fondit Shqiptar të Zhvillimit, që synon rikualifikimin e lagjes së kalasë, arredimin urban për vizitorët, si dhe punime konservuese dhe restauruese në muret e kështjellës.

Kalaja e Drishtit e ngritur në shekullin XIII ndodhet vetëm 6 kilometra larg Urës së Mesit, mbi lumin Kir,  një tjetër monument kulture i njohur brenda dhe jashtë Shqipërisë, duke e bërë zonën një destinacion të rëndësishëm turistik për vizitorët që kërkojnë historinë dhe natyrën në të njëjtin vend.

Shpërndaje