45 mijë dollarë për një udhëtim drejt Amerikës – SPAK çon në gjyq 5 shkodranë për trafik emigrantësh…

Shpërndaje

SPAK ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim dosjen e një grupi kriminal që organizonte kalime të paligjshme nga Shqipëria drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në krye të grupit dyshohet se ishte Luc Melaj, ndërsa pjesë e tij ishin edhe Gëzim Camaj, Emanuel Melaj, Tonin Melaj dhe Bashkim Çokaj.

Sipas hetimeve, grupi ka ndihmuar të paktën 25 shtetas shqiptarë të kalonin kufirin në mënyrë të paligjshme, kundrejt pagesave që varionin nga 40 deri në 45 mijë dollarë për person. Kjo veprimtari është zhvilluar nga mesi i vitit 2022 deri në korrik 2024, me role të përcaktuara për secilin pjesëtar.

Akuza ndaj të pandehurve

  • Luc Melaj akuzohet për disa vepra penale, mes tyre “Ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve”, “Falsifikim dokumentesh”, “Grup i strukturuar kriminal”, “Ushtrim ndikimi të paligjshëm” dhe “Mbajtje pa leje të municioneve luftarake”.
  • Gëzim Camaj akuzohet për “Ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve” dhe “Ushtrim ndikimi të paligjshëm”.
  • Emanuel Melaj akuzohet për ndihmë në organizimin e udhëtimeve dhe transferimin e parave.
  • Tonin Melaj dhe Bashkim Çokaj, të dy punonjës policie, akuzohen për “Shpërdorim detyre”, pasi dyshohet se kanë ndihmuar në mosregjistrimin e kalimeve kufitare për persona që kishin probleme me qëndrimin në vendet e BE-së apo që ishin azilkërkues.

Si funksiononte skema

Hetimet zbuluan se takimet me qytetarët organizoheshin në Shqipëri, ku shpjegohej rruga, mënyra e udhëtimit dhe pagesat. Udhëtimi përfshinte nisjen nga Shqipëria, kalimin në Spanjë, pajisjen me dokumente të falsifikuara franceze, udhëtimin ajror drejt Meksikës dhe më pas hyrjen tokësore në SHBA.

Grupi siguronte bileta, strehim në Meksikë dhe transport deri në kufirin amerikan, ndërsa për pjesën e kalimeve në Mal të Zi dhe shmangien e regjistrimeve në sistem ndihmonin punonjës policie.

Ky operacion është zhvilluar në bashkëpunim mes SPAK, Byrosë Kombëtare të Hetimit, Shërbimit të Sigurisë Diplomatike të SHBA-së, Drejtorisë së Policisë së Shtetit dhe Njësisë Speciale “Mburoja e Përbashkët”. Hetimet vijojnë për persona të tjerë të përfshirë.

Shpërndaje