
Si rezultat i një operacioni të zhvilluar gjatë natës së djeshme. Policia e Lezhës, kapi në flagrancë dy shtetas që po kryenin gjueti në kundërshtim me moratoriumin.
Gjatë kontrollit në automjetin e tyre, shërbimet e Policisë gjetën 20 shpendë të vrarë me armë gjahu, dy armë gjahu, të cilat personat i posedonin me leje dhe u bllokuan për shkelje të Moratoriumit të Gjuetisë dhe fishekë të llojit përkatës që u sekuestruan si prova materiale.
Në përfundim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lezhë referuan materialet në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit:
• A. P., 28 vjeç, banues në Divjakë
• M. H., 31 vjeç, banues në Tiranë
Të dy shtetasit akuzohen për veprën penale “Dëmtimi i specieve të vogla të florës dhe faunës së egër”.
Ndërkohë, burime nga terreni pohojnë se asnjë rast i gjuetisë së paligjshme nuk është denoncuar nga administratat e zonave të mbrojtura, megjithëse fenomeni është i njohur dhe i përsëritur.
Sipas ekspertëve, për të vrarë 20 shpend duhet të qëllosh të paktën 20 herë, gjë që do të thotë se gjuetia është zhvilluar për një kohë të gjatë, pa u vënë re apo ndaluar nga strukturat përgjegjëse.
Ky mbetet rasti i vetëm i dokumentuar zyrtarisht gjatë këtij këto vitet e fundit, ndonëse banorë pranë zonave të mbrojtura pohojnë se nuk është hera e parë që gjuetia e ndaluar ndodh në këtë territor.
Policia e Lezhës njofton se kontrollet do të vijojnë në të gjithë territorin e qarkut për të parandaluar çdo aktivitet të paligjshëm që cenon biodiversitetin dhe mjedisin.





