
Karabinierët e Njësisë Hetimore në Romë kanë zhvilluar një operacion të suksesshëm kundër trafikut të drogës, duke goditur një ndër rrjetet më të mëdha që vepronte në kryeqytetin italian. Si rezultat, u sekuestruan 200 kg kokainë, me vlerë rreth 16 milionë euro.
Në pranga ra një 23-vjeçar shqiptar (i lindur në 2002), i cili u kap në flagrancë duke mbajtur në një çantë 191 pako kokaine, një armë zjarri me fishekë dhe rreth 30 mijë euro në para të gatshme. Sjellja e tij e dyshimtë në rrugë tërhoqi vëmendjen e karabinierëve, të cilët ndërhynë menjëherë për kontroll.
Gjatë hetimeve në banesën e të arrestuarit, u zbulua një qendër logjistike për magazinimin e drogës. Aty u gjetën 8 çanta të mëdha të mbushura me kokainë të paketuar në 191 pako me logo të ndryshme, që përfaqësonin rreth 8 000 doza të destinuara për tregun e Romës. Po ashtu, u gjet një pistoletë e vjedhur dhe 30 mijë euro cash.
Autoritetet zbuluan se i riu përdorte një mekanizëm të fshehjes në makinën e tij: një fund të dyfishtë që hapej me kombinime çelësash e butonash, për të shmangur kontrollet gjatë transportit të drogës.
Pas arrestimit, shqiptari u dërgua në burgun Rebibbia, ku do të përballet me drejtësinë italiane.




