Vritet gjyqtari Astrit Kalaja brenda sallës së Gjykatës së Apelit në Tiranë…

Shpërndaje

Vritet me armë zjarri gjyqtari Astrit Kalaja, brenda sallës së Gjykatës së Apelit në Tiranë, gjatë një seance gjyqësore për një çështje administrative që lidhej me një konflikt pronësie. Autori i dyshuar, Elvis Shkëëambi, i cili ishte palë në proces, qëlloi ndaj gjyqtarit dhe plagosi gjithashtu babë e bir, Rakip dhe Ervis Kurtaj. Ai u arrestua menjëherë në vendngjarje nga policia.

Gjyqtari u dërgua me urgjencë në spital, por mbërriti pa shenja jete. Ndërkohë, dy personat e plagosur ndodhen jashtë rrezikut për jetën, dhe njëri prej tyre i është nënshtruar një operacioni.

Konflikti për pronën ishte nëpër gjykata prej vitesh. Shkëmbi kishte fituar në Shkallën e Parë, por vendimi u kthye për rigjykim në Apel, për shkak të mungesës së disa dokumenteve në dosje. Ai kishte akuzuar publikisht palën tjetër për përdorim dokumentesh të falsifikuara për të mbajtur në përdorim ndërtesën në fjalë.

Një pikë ende e paqartë mbetet mënyra se si autori ka hyrë në ambientet e gjykatës me armë, pavarësisht kontrolleve të sigurisë. Ngjarja ka ngritur alarmin për masat e sigurisë në institucione publike.

Astrit Kalaja kishte një karrierë të gjatë që prej vitit 1993, duke shërbyer në disa gjykata, përfshirë edhe si Zv.Kryetar i Gjykatës së Apelit Shkodër. Në vitin 2019 u konfirmua në detyrë pas Vetting-ut.

Policia njoftoi se ngjarja ndodhi rreth orës 15:40 dhe se arma e krimit është sekuestruar, ndërsa autori është shoqëruar në DVP Tiranë për hetime të mëtejshme.

Shpërndaje