
Vera e këtij viti ka shënuar një tjetër sezon turistik të suksesshëm në Bashkinë e Shkodrës. Sipas të dhënave zyrtare, jo vetëm gjatë muajve të verës, por që nga fillimi i vitit e deri në mesin e muajit shtator është regjistruar një rritje e ndjeshme e numrit të turistëve.
Bazuar në deklarimet e njësive akomoduese janë evidentuar rreth 180 mijë net qëndrimi më shumë krahasuar me vitin e kaluar.
“Është një rritje me 35% për qind e netëve të fjetjeve, e deklarua zyrtarisht, janë rreth 500 mijë net fjetje krahasuar me vitin e kaluar ku ka qenë rreth 380 mijë net fjetje. Të gjitha këto janë të ardhura që janë futur në Bashkinë e Shkodrës, pse jo edhe në ekonomi dhe të bizneseve tona”, tha Bekim Mema, Drejtues i Zhvillimit Ekonomik, Bashkia Shkodër.
Autoritetet vendore theksojnë se ndikim pozitiv në mbarëvajtjen e sezonit ka dhënë bashkëpunimi i ngushtë me operatorët turistikë, si edhe masat e marra veçanërisht në plazhin e Velipojës, si zona më e frekuentuar e Bashkisë së Shkodrës, që shtrihet nga bregdeti deri në Alpe.
“Ka qenë një sezon i mirë, i kënaqshëm me ato uljet dhe ngritjet e veta, pse jo me një rënie të vogël përgjatë korrikut e cila është kompesuar nga një numër i lartë i turistëve që ka qenë gjatë muajit të qershorit. Kemi respektuar ato detyrime dhe objektiva që kemi vendosur që në fillim që të kemi sa më shumë hapësira publike, të jenë të mobiluar me kushte përkatëse. Ja kemi dalë që të kemi një turizëm shumë të mirë”, tha Mema.
Përveç turizmit bregdetar, malor dhe liqenor, Shkodra ofron një sërë atraksionesh historike e kulturore, si Kalaja e Rozafës, Ura e Mesit dhe rrjeti i muzeve të qytetit, që mbeten faktorë të rëndësishëm në zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit.




