
Dosja e pronësisë mbi truallin ku ndodhet sot “Hotel Rozafa” është një ndër më të ndërlikuarat dhe më të ngarkuarat, si në aspektin juridik ashtu edhe në atë politik. Kjo, për shkak të rëndësisë që ka prona për Myftininë e Shkodrës dhe pozitës së saj në zemër të qytetit.
Konflikti ka origjinën që në vitin 1995, kur me një vendim të qeverisë së atëhershme, objekti iu dha një grupi prej 40 ish të përndjekurish politikë si kompensim për vitet e burgut. Vendim ky i kundërshtuar nga pronarët e truallit, ku Myftinia Shkodër zotëron përqindjen më të madhe, por edhe të tjerë bashkëpronarë. Pas një beteje të gjatë gjyqësore, vendimi i qeverisë u rrëzua.
Ndërkohë, grupi i 40 të përndjekurve krijoi “Shoqërinë Aksionare Rozafa” dhe vijoi me procesin e privatizimit të objektit përmes Agjencisë Kombëtare të Privatizimit (AKP), duke e regjistruar atë në emër të shoqërisë. Edhe ky veprim u kundërshtua dhe u fitua nga pala e pronarëve të truallit.
Pas përplasjesh të shumta gjyqësore, duke kaluar në të gjitha shkallët e gjyqësorit në Shkodër dhe Tiranë, deri në Gjykatën e Lartë dhe në Gjykatën Kushtetuese, u vendos që e drejta e parablerjes i takon pronarëve të truallit. Ky është vendim përfundimtar dhe i formës së prerë i Gjykatës së Lartë.
Megjithatë, gjatë kësaj kohe, “Shoqëria Rozafa”, ndodhur në pozitë humbëse juridike, shiti aksionet e saj tek familja Uldedaj. Pas viteve, nga 40 ish të përndjekur, me trashëgimi dhe ndarje pasurie, numri i palëve është rritur në rreth 130 persona, çka e ka bërë procesin edhe më të ndërlikuar.
Sot, pavarësisht se juridikisht prona është kthyer në shtet dhe të drejtën e parablerjes e kanë pronarët e truallit, objekti vijon të jetë në posedim dhe shfrytëzim nga familja Uldedaj. Kjo për shkak se pasojat juridike të vendimeve gjyqësore nuk janë zbatuar.
Myftinia Shkodër thekson se ky proces mbi 30-vjeçar, i mbushur me ndërhyrje politike dhe përplasje gjyqësore, tregon qartë se zbatimi i vendimeve të gjykatave ka qenë “themra e Akilit” e gjithë kësaj çështjeje. Myftinia mbetet e vendosur për të ndjekur çdo rrugë ligjore që e drejta të vihet në vend dhe prona të kthehet në shfrytëzim të ligjshëm./RealitetiPost




