
Qendra Ndërkombëtare e Drejtësisë për Palestinezët (ICJP) ka depozituar një njoftim zyrtar pranë Policisë së Shtetit, duke kërkuar hetimin dhe arrestimin e një personi të dyshuar si pjesëtar i Forcave Mbrojtëse Izraelite (IDF), i implikuar në krime lufte.
Në deklaratën e saj, ICJP thekson se ka indicie të forta që ky individ ndodhet aktualisht në Shqipëri dhe autoritetet duhet të veprojnë menjëherë.
Sipas Middle East Eye, personi në fjalë është Kryerabini i Shqipërisë, Yoel Kaplan. Ky i fundit u emërua në vitin 2010 me vendim qeverie, por pa miratimin e shumicës së komunitetit të vogël hebre në vend. Gazeta thekson se ndaj tij po kërkohet ndjekje penale në bazë të Nenit 7 të Kodit Penal, i cili parashikon hetimin e shtetasve të huaj që kanë kryer krime jashtë territorit shqiptar, përfshirë krime kundër njerëzimit.




