
Një flotilje me anije nga vende të ndryshme të botës u sulmua mbrëmjen e së martës, ku u goditën 11 prej tyre.
Personat në bord theksuan se nuk do të heqin dorë nga misioni humanitar drejt Gazës, duke e cilësuar sulmin si një akt ndaj tre shteteve pjesëmarrëse. Zëdhënësja e Flotiljes Globale “Sumud”, italiania Maria Elena Delia, e konsideroi ngjarjen një episod tepër serioz që krijon precedent të rrezikshëm, duke apeluar për ndërhyrjen e politikës.
Sipas saj, mbi flotën u lëshuan të paktën 15 dronë: fillimisht me substanca djegëse, më pas me bomba zanore dhe në fund duke u përplasur drejtpërdrejt me anijet. Katër mjete lundruese, përfshirë edhe atë ku ndodhej ajo, u dëmtuan rëndë dhe nuk mund të vazhdojnë më udhëtimin.
Delia shtoi se sulmi, i cili zgjati me orë të tëra në errësirën e detit të hapur, kishte si synim të rraskapiste psikologjikisht ekuipazhet. “Ky është një akt kriminal ndaj një flote civile. Ne nuk do të trembemi, sepse po udhëtojmë në përputhje me ligjin dhe do të vazhdojmë drejt Gazës për t’i dërguar ndihma popullsisë së rraskapitur”, u shpreh ajo.




