Ndahet nga jeta aktori dhe regjisori i njohur, Enver Petrovci…

Shpërndaje

Ka ndërruar jetë aktori, regjisori dhe dramaturgu i njohur shqiptar, Enver Petrovci, një prej figurave më të shquara të artit skenik dhe kinematografisë shqiptare.

I lindur më 28 shkurt 1954 në Prishtinë, ai nisi rrugëtimin e tij artistik në Shkollën e Lartë Pedagogjike, për ta vijuar më pas me studimet në Fakultetin e Arteve Dramatike në Beograd. Që nga hapat e parë, talenti i tij spikati në teatër, film e televizion, ku solli interpretime të paharrueshme dhe role të shumta që mbeten pjesë e artit shqiptar.

Përveç aktrimit, Petrovci u dallua edhe si regjisor, dramaturg dhe shkrimtar, duke sjellë vepra të reja dhe duke lënë gjurmë të thella në letërsinë shqipe. Pas viteve ’90, karriera e tij u zhvendos kryesisht në trojet shqiptare, ku dha një kontribut të çmuar si artist dhe pedagog.

Ai ishte ndër themeluesit e disa institucioneve të rëndësishme kulturore në Kosovë, si “Akademia e Arteve në Prishtinë” dhe “Teatri i Babës”, duke ndikuar në formimin e brezave të rinj të aktorëve.

Me krijimtarinë, përkushtimin dhe vizionin e tij, Enver Petrovci mbetet një ikonë e kulturës shqiptare, i nderuar e i respektuar në gjithë hapësirën ku flitet shqip.

Shpërndaje