Kriza hidrike në Fierzë, prodhimi i energjisë bie ndjeshëm…

Shpërndaje

Në hidrocentralin e Fierzës aktualisht funksionon vetëm një nga katër agregatët, pasi po ruhet rezerva hidrike në kaskadën e Drinit. Niveli i ujit në liqenin më të madh artificial të vendit ka rënë ndjeshëm dhe po i afrohet “pikës së vdekjes” prej 242 metrash mbi nivelin e detit.

Prurjet nga Drini i Bardhë dhe Drini i Zi janë minimale, rreth 30 m³ ujë në sekondë. Sot, niveli në basenin e Fierzës është në kuotën 264.93 metra, shumë më poshtë se kuota maksimale 296.5 metra, çka dëshmon vështirësinë hidrike që po përjetohet.

Thatësira e gjatë ka ulur ndjeshëm prodhimin e energjisë vendase. Liqeni tërhiqet dita-ditës, ndërsa prurjet e pakta të lumenjve, të kombinuara me rritjen e konsumit, po e vënë nën presion kaskadën e Drinit, e cila prodhon më pak deri në ardhjen e reshjeve.

KESH po alternon prodhimin mes Fierzës, Komanit dhe Vaut të Dejës, por për të përballuar kërkesën është detyruar të importojë energji. Vetëm gjatë 15–21 shtatorit janë blerë 72,236 MWh për të kompensuar mungesën nga thatësira.

Shpërndaje