“Homeward” – Ekspozita që kthen Shkodrën në itinerar artistik për 10-vjetorin e “Art House”…

Shpërndaje

Në hollin e RTSH Shkodra u çel ekspozita “Homeward”, e cila shënon 10-vjetorin e krijimit të “Art House”.

Kjo ekspozitë erdhi e konceptuar si një udhëtim simbolik drejt “shtëpisë”, ku identitetet dhe kujtimet lidhen me përkatësinë dhe marrëdhëniet mes njerëzve e hapësirave.

Në fjalën e tij përshëndetëse, ideatori Adrian Paci theksoi se “Art House” ka shërbyer si një hapësirë e lirë për reflektim dhe dialog artistik, duke krijuar një komunitet të gjallë ku arti dhe shoqëria takohen.

“Art House nuk është dhe nuk do të jetë një krijesë perfekte. Ajo ushqehet nga mungesat që prodhojnë dëshira dhe i japin stimuj për të ndryshuar” – u shpreh ideatori i “Art House”, Adrian Paci.

Një mirënjohje të veçantë Paci e kishte për RTSH.

“Sot e inaugurojmë këtë ekspozitë në hapësirat e Radio Shkodrës dhe një falënderim të veçantë i shkon RTSH-së për këtë mundësi bashkëpunimi. Uroj që sa më parë Radio Shkodra të rikuperohet në gjithë bukurinë e saj arkitektonike, por të marrë mundësinë dhe rolin që ajo meriton si institucioni mediatik më i rëndësishëm i qytetit, ku përcillet jo vetëm informacioni, por edhe vlerat kulturore dhe mendimi i rafinuar qytetar.”

Për rëndësinë e kësaj ngjarjeje folën edhe disa nga artistët themelues.

“Një artist si Adrian Paci, i cili ka vënë në dispozicion shtëpinë e tij, familjen e tij dhe e ka treguar gjithmonë se çfarë përmasash ka ai si artist në botë” – u shpreh aktorja Rita Gjeka.

Ndërsa piktorja Ikbal Kalaja u shpreh për RTSH: “Ka qenë me të vërtetë ngjarja më e bukur artistike për kohën. Ka ardhur një kohë kur kishim vërtet shumë nevojë për institucione artistike, të cilat sikurse ishin zbehur pak.”

Ekspozita “Homeward” shtrihet edhe në mjedise të tjera si: “Art House”, Muzeu i Fotografisë “Marubi” dhe Galeria e Arteve, duke e kthyer qytetin në një itinerar artistik.

Ajo do të qëndrojë e hapur për publikun një muaj, duke ofruar mundësinë për të parë punime të 33 artistëve shqiptarë e ndërkombëtarë.

Shpërndaje