
Ky vit ka rezultuar i përgjakshëm për qytetin e Shkodrës, ku që nga janari janë regjistruar nëntë vrasje, duke e kthyer sigurinë në një nga çështjet më shqetësuese për banorët.

Ngjarja e parë e vitit ndodhi më 5 janar, në Postribë, ku u ekzekutua me armë zjarri 33-vjeçari Ramazan Mataj. Si autorë të dyshuar u arrestuan tre pjesëtarë të familjes Hasaj.

Më 18 shkurt, ndodhi një tjetër tragjedi. Anila Ndoka Prendushi u qëllua me armë nga i dashuri i saj, i cili më pas i dha fund jetës. 44-vjeçarja, nënë e tre fëmijëve, qëndroi gjashtë ditë në spital, por nuk arriti t’u mbijetonte plagëve.

Pak ditë më pas, më 27 shkurt, në fshatin “Guci e Re” u vra 20-vjeçari Pavlin Preka. Për këtë ngjarje janë shoqëruar dhjetëra persona, por hetimet ende nuk kanë çuar në zbardhjen e plotë të saj.

Më 4 gusht, në fshatin Paçram u vra me armë zjarri 65-vjeçari Frrok Lleshi, ish-polic dhe person me precedentë penalë. Lleshi ishte dënuar në vitin 2006 me 25 vite burg për vrasje me dashje, por ishte liruar në mars të vitit 2023, pasi kishte kryer 17 vite dënim. Dyshohet se ekzekutimi i tij lidhet me një hakmarrje të vjetër.

Më 5 shtator, një konflikt në fshatin Abat të Shalës përfundoi në tragjedi. 61-vjeçari Piro Prroni u vra nga Ndoc Maçaj, i cili pas ngjarjes u vetëdorëzua në polici. Ai dëshmoi se viktima tentoi ta godiste me kosë, ndërsa ai qëlloi për vetëmbrojtje.

Vetëm tre ditë më vonë, më 8 shtator, në zemër të qytetit u ekzekutua me breshëri plumbash Kristian Kola, 34 vjeç. Autorët, që lëviznin me motor, qëlluan me një armë pistoletë dhe u larguan menjëherë pas krimit. Babai i viktimës ka paralajmëruar për vetëdrejtësi nëse autorët nuk kapen.

Ngjarja më e rëndë e këtij viti ndodhi më 8 shtator në mëngjes, kur një atentat mafioz në qendër të Shkodrës shkaktoi dy të vrarë dhe dy të plagosur. Viktima mbetën Armando Pali, ish-këshilltar bashkiak dhe ish-zyrtar i IMT-së, si dhe Liridon Kraja, shofer i Erogen Brajoviq. Ky i fundit u plagos rëndë dhe ndodhet në spital, ndërsa e plagosur lehtë mbeti edhe kamerierja e lokalit, Meri Kaceri. Dyshohet se shënjestra e atentatit ishte Brajoviq.
Me këto ngjarje të përgjakshme, bilanci i këtij viti për Shkodrën ka arritur në nëntë vrasje, duke e vendosur qytetin nën hijen e krimit dhe pasigurisë./RealitetiPost




