
Ministria e Shëndetësisë në Gaza njoftoi se numri i palestinezëve të vrarë nga sulmet izraelite që prej tetorit 2023 ka arritur në mbi 64.368 viktima, ndërsa të plagosurit kanë shkuar në 162.367. Vetëm në 24 orët e fundit janë raportuar 68 të vrarë dhe 362 të plagosur.
Shumë trupa mbeten ende nën rrënoja apo të shpërndarë nëpër rrugë, për shkak se ekipet e shpëtimit nuk kanë mundësi të ndërhyjnë.
Një tjetër tragjedi është ajo e civilëve që përpiqen të sigurojnë ndihma humanitare: gjatë ditës së fundit ushtria izraelite ka vrarë 23 persona dhe plagosur mbi 143 të tjerë. Nga maji 2024, numri i palestinezëve të vrarë gjatë kërkimit të ushqimeve ka shkuar në 2.385, ndërsa të plagosurit mbi 17.577.
Ministria raportoi gjithashtu se vetëm në 24 orët e fundit kanë vdekur 6 persona nga uria, mes tyre një fëmijë. Në total, që prej tetorit 2023 kanë humbur jetën nga kequshqyerja 382 qytetarë, ku përfshihen 135 fëmijë.
Mbyllja e plotë e pikave kufitare nga Izraeli që prej 2 marsit ka çuar mbi 2.4 milion banorë të Gazës drejt urisë së përhapur. Sipas një vlerësimi të mbështetur nga OKB, uria tashmë është konfirmuar në veri të Gazës dhe pritet të përfshijë edhe zonat jugore.
Nga rifillimi i sulmeve më 18 mars, Izraeli ka vrarë mbi 11.800 persona dhe plagosur mbi 50.000, duke shkelur marrëveshjen e armëpushimit të arritur në janar. Lufta ka hyrë tashmë në ditën e saj të 700-të, duke lënë territorin të shkatërruar.
Në arenën ndërkombëtare, nëntorin e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhër-arresti ndaj kryeministrit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrit të Mbrojtjes Yoav Gallant, të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Paralelisht, Izraeli po përballet edhe me një padi për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.




