
Nga Sokol Dema
Dy fjalë për turizmin, plazhin, Velipojën, trafikun… dhe mushkonjat
Prej vitit 2018, të paktën, nuk kam shkuar asnjëherë, për asnjë ditë të vetme, në një plazh ranor në vend, nga Vlora deri në skajin më verior në Velipojë. I magjepsur prej ujit kristal të rivierës së jugut, në çdo plazh, në çdo gji, në çdo hapësirë, ma bënte të vështirë rikthimin në plazhet ranore. E di, është pak qëndrim egoist, por e vërteta kështu është. Këtë vit, ndikuar nga vendime të përbashkëta familjare, vendosëm të shkojmë disa ditë në Velipojë. Të them të drejtën, nuk isha fare entuziast, por mendova “hajt se po e provojmë”.
U nisëm herët nga Kukësi. Vapa bënte të veten, sidomos kur përballesh me radhë kilometrike, pa e lënë ende Rrugën e Kombit, afër Milotit. Nga mbikalimi deri në Shëngjin, lëvizja ishte makth më vete në këtë sezon. E humba sensin për sa kohë prisnim në radhë. Më në fund, rreth mesditës, kalojmë Shëngjinin dhe jemi në rrugën e re të Velipojës. Jepi Çezarit atë që i takon, rruga ishte e mirë, panoramike dhe ia vlente ta bëje. Sadopak ta hiqte mendjen nga ai tmerri i trafikut që kishim përjetuar për disa orë, vetëm për pak kilometra.
Më në fund në Velipojë. Po më krijohej përshtypja se kisha kaluar disa shtete, prej orëve të gjata në timon. E nisëm nga vendi që kisha prenotuar në “Booking”. U impresionova! Raporti çmim–cilësi, i paparë! Shumë lirë, në këmbim të një vendi dinjitoz, në kuptimin më të mirë të fjalës. Impresioni i parë pozitiv i ditës. Për pak dolëm në plazh. Ditën e parë nuk lëvizëm shumë, sepse edhe rruga e bënte të veten. Çfarë na doli para, morëm një çadër. Kushtonte vetëm 500 lekë. Po, po, 500 lekë! Dhe në ditët në vijim, maksimumi që hasa ishte 600 lekë. Një faturë krejt normale për të pirë një kafe apo një birrë në një beach bar, përkundrazi, u surprizova nga çmimet. E njëjta mbresë edhe për restorantet, lirë, në këmbim të një cilësie dhe shërbimi relativisht të mirë.
Ta pranojmë, uji mbi rërë nuk është njëlloj si ai mbi gurët kristal të jugut. Por e vërteta është se uji i Adriatikut, këtë vit në Velipojë, ishte i mrekullueshëm, i pastër dhe jo i ndotur. Shezlongët ishin gjithandej plot, njerëz plot, dhe sërish dita mbyllej shumë mirë dhe pa ndotje. Plazhe publike, këtë vit, kishte pafund. Sipërfaqe të tëra në dispozicion të kujtdo që donte të merrte një çadër nga shtëpia dhe të mos shqetësohej nga askush. Linin për të dëshiruar, në këto hapësira publike, hedhja e mbeturinave, e cila është në ndërgjegjen e të papërgjegjshmëve.
Nuk më kujtohet, para shtatë vitesh, të ketë pasur tualete publike në pedonalen e Velipojës, por këtë vit ishin me shumicë, një tjetër plus i madh. Por ajo shëtitja në Velipojë, gjatë perëndimit të diellit, ishte e vështirë. Ushtri të tëra mushkonjash sulmonin pa mëshirë, edhe mua, që asnjëherë nuk më kanë pasur në listën e të preferuarve. Bashkia duhet të bëjë më shumë për dezinsektimin e tyre, nuk duhet lejuar kështu. Ditën e fundit, të dielën, makthi i kthimit, një trafik i tmerrshëm, edhe një herë në kthim. Aty kupton sa të nevojshëm e ka veriu investimin në infrastrukturë.
E megjithatë, përtej këtyre problemeve të vogla, kthimi në Velipojë do të jetë me shumë kënaqësi, me shpresën se vitin e ardhshëm ato do të zvogëlohen ose të eliminohen plotësisht!




