
Nga Redi Shehu
Në vetëm një muaj, Trump arriti të zhbëjë aleancën euroatlantike e cila ishte e konsoliduar prej 80 vitesh. Me një fjalor të varfër, ngjashëm me lloqet e një mejhaneje të Teksasit, ai dhe zëvendësi i tij, shkelmuam gjithë atë që ne njohim rreth diplomacisë. Bashkë me diplomacinë ra edhe aleanca më e fuqishme e globit. Imagjinoni në krahun tjetër, Putin i cili ngre dolli me vodka për epokën e re që po lind. Ndërkohë që Bashkimi Evropian zgjohet nga kllapia e vet për të kuptuar se i duhen aleatë të rinj për mbrojtjen e vet dhe pavarësinë energjetike. Vetëm një muaj dhe globi duket siç nuk mund ta imagjinonim.
Trump, në kostumin e një kolonizatori në epokën e inteligjiencës artificiale, thotë se parimi i aleancës me Ukrainën vlen 500 miliardë dollarë minerale të ralla. Ndërkohë që parimet e humanitetit, në Palestinë këmbehen me një Trump Tower në Gaza Riviera.
Ngjarjet e fundit troditën jo më shumë për çarjen e madhe, se sa për faktin e brishtësisë së aleancës euroatlantike që paska qëndruar e fshehur nën imazhin e më të fortëve të globit. Tronditja më e madhe për BE-në nuk është ajo çfarë Trump bën, por fakti se duhet të gjejë aleatë aty ku ka pështyrë prej dekadash. Ftesa bërë Turqisë për të qënë pjesë e aleancës së re anti-Trump, tregon nevojën e madhe të Evropës për partnerë të fortë ushtarakë si dhe ndërmjetës të fortë në Lindjen e Mesme për burime të mjaftueshme energjie.
Ka kaluar vetëm një muaj. Imagjinoni çfarë do ndodhë pas katër vitesh. Gjithmonë nëse seriali me atentate nuk do të ketë sukses ndaj Trump.