
Mjekët palestinezë dhe ekipet e shpëtimit kanë nxjerrë 22 trupa të tjerë nga rrënojat në Rripin e Gazës, duke e çuar numrin total të të vdekurve në luftën gjenocidale të Izraelit që nga tetori 2023 në 48.181, tha të shtunën Ministria e Shëndetësisë.
Në deklaratë thuhet se në mesin e viktimave janë katër palestinezë të vrarë nga zjarri izraelit në 48 orët e fundit.
Sipas Ministrisë, pesë persona të tjerë të plagosur u shtruan në spitale, duke e çuar numrin e përgjithshëm të të plagosurve në sulmet izraelite në 111.638.
“Shumë viktima janë ende të bllokuar nën rrënoja dhe në rrugë, pasi shpëtimtarët nuk mund t’i arrijnë ato,” thuhet në raport.
Ministria shtoi se emrat e 572 palestinezëve të tjerë u shtuan në listën e të vrarëve pas verifikimit të të dhënave nga institucionet përkatëse.
Një armëpushim ka qenë në fuqi në Gaza që nga 19 janari, duke ndalur luftën izraelite që ka shkaktuar shkatërrime masive dhe ka lënë enklavën palestineze në gërmadha.
Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhërarreste për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e Mbrojtjes Yoav Galant në nëntor të vitit të kaluar, duke i akuzuar ata për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli gjithashtu përballet me një padi për gjenocid para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën në enklavë.