Bedrie Ashiku, shkodrania që u torturua, u burgos dhe u internua nga xhelatët komunistë

Shpërndaje

Një copëz nga historia rrënqethëse e burgosjes dhe internimit të grave e vajzave të Shkodrës, në vitet e para të represionit komunist

Tortura ndaj vajzave dhe grave të Shkodrës, në vitet e para të respresionit komunist, është një dosje e zezë që meriton vëmendje specifike. Bedrije Ashiku ishte një prej grave të Shkodrës që u torturua, u burgos dhe më pas u internua.

Fritz Radovani përcjell copëza të historisë së zonjës Bedrie Ashiku, të rrëfyera nga bashkëkohës të saj. Ai na sjell në vëmendje konviktin “Malet tona” në Shkodër, i cili ishte kthyer në hetuesi. Ishte pranë spitalit të Shkodrës, në fund të rrugës së Shtëpisë së Kulturës dhe se konvikti i kthyer në hetuesi, iu duhej afër spitalit. Radovani shpjegon, mbështetur në rrëfimet e vuajtësve në ato biruca famëkeqe, se hetuesit kriminel nuk kishin interes të mbyllnin dosjet tri ditët e para të torturave, prandaj iu duhej afër spitali. Pastrimet e zyrave i bënin me vajzat ose gratë e arrestuara, që nuk ishin aq pak ndër ato qeli.

“Në Shkodër, kam pasë fatin me njoh Martirin Loro Vata, i cili ka jetue deri në vitin 1999, dhe prej Tij mësova ngjarje të sakta që ishin të varrosuna në themelet e atij konvikti…

Në vitin 1946, pak ditë mbas arrestimit, Loro Vata dërgohet në hetuesinë “Malet tona”. Aty, merrej në pyetje nga një katil i njohun i hetuesisë, Fadil Kapisyzi. Edhe qelia ku ishte i pranguem Loro, ishte pranë dhomës ku Fadili, merrte në pyetje të arrestuemit.

Shpesh terroristët masakronin nga dy vetë bashkë. Një natë Fadili kishte marrë në zyrë të vet edhe një monstër si veten, Dul Rrjollin, dhe po torturonin një nga Klerikët Katolik” -shkruan Radovani, i cili i mbështet rrëfimet në dokumente zyrtare të marra nga arkivat e shtetit komunist.

Historia e Bedrie Ashikut

“Ishin ditët e para të Dhjetorit 1946. Aty nga ora 8 e mjesit, Duli kishte hapë një qeli aty pranë Loros, ku ishte e prangueme zonja Bedrije Ashikja, motra e Ahmet Ashikës, rreth moshës 24 vjeç, së cilës i kishin pushkatue Burrin, dhe kërkonin me e dënue edhe këte. Flitej se Fadili kishte një lidhje të largët kushrinije me Bedrijen, dhe per këte arsye, ai shpesh e merrte Bedrijen me pastrue dhomat e hetuesisë… Pak minuta mbasi Bedrija po pastronte dhomën e Fadilit, u ndigjue një virrmë e fortë, që u këput pa u kuptue pse…

Nuk vonoi pak kohë, dhe mërriti Dul Rrjolli, i cili mbasi e pyeti: “Pse e preke thesin, a të thashë, se mbas derës mos pastro… moj e poshtër…” dhe vazhdoi, tue tërhjekë rrëshanë Bedrijen, dhe tue e sha me fjalorin e njohun të tyne, derisa e holli në qeli… Mërrijti aty edhe Fadili, dhe vazhdoi edhe ai si Duli. Në fund e porositi: “Guxo e tregoi kujt se shka ke pa, se edhe ty do të kalbi në një gropë me te, moj..!”

Atë natë ishe i sigurtë se na pergjojnë, tha Loro, prandej, as nuk i dhashë Bedrijes fare sinjal për me marrë vesht shka ngjau atë ditë, në zyrën e Fadilit…

Të nesërmen herët më zgjoi vetë Bedrija: “Loro, a e di shka ka ngja dje në zyrë të hetues Fadilit?” –Unë i përgjegja jo! Po në të vertetë, gjatë natës, veshtrova nga oborri dhe, aty nga e vona, disa roje hapën një gropë, dhe hollën aty një thes ngjyrë kafe të mbyllët mu tek qershija brinjë murit të hetuesisë… Kuptova se dikush kishte vdekë në tortura!

Bedrija i kishte tregue, se gjatë torturave me korent elektrik, Fadilit dhe Dulit u ka mbetë i vdekun në dorë At Bernardin Palaj, dhe ashtu me tela nder veshë e kishin ba si thes në zhgunin e vet. Unë pa dijtë gja, tue pastrue mbasdere, kur e pashë vrrita dhe më ka ra të fikët… Ka ardhë Duli dhe më ka hjedhë ujë, e kam ardhë në vete. Gjithë ditën jam qenë e tmerrueme, as nuk më ka kalue buka… Një tmerr me e pa Fratin ashtu!

E mbytja e At Bernardin Palaj në torturë, vazhdon mos me e shkrue si kje e vërteta!

At Bernardini nuk ka vdekë as nga telat e ndryshkin, as nga tetanozi! Ate e keni mbytë!

Sigurisht, kjo jo, për të gjithë!

Heroina Bedrije Ashikja, mbasi bani shumë vjetë burg, nuk i mjaftoi komunistëve vuejtja e Saj sa e sa vjeçare, duhej internue fatzeza në Hajmel… Ishte thirrë nga Sigurimi për me “deponue” për Imzot Ernesto Çoben, në një mbledhje të lagjes së Saj, se: “Ishte pa nga dritaria e Mark Berishës, karrshi Kishës së Madhe, ku shpesh aty shkonte edhe Xhemal Dini dhe Angjelin Kumrija, me “ndonjë agjent” tjetër, dhe survejonin kush hyn e del në Argjipeshkvijë… Një mbasdreke kishin pa edhe Bedrije Ashikën, që nuk mohonte se asht kenë tek Imzot Ernesto Çoba. Sigurimi i kërkonte Asaj me deponue tjera fakte që nuk ishin asnjë të vërteta. Bedrija ua preu shkurt: “Këto që thoni ju, kërkoni atje ku jeni mësue, po jo tek unë, mbasi unë kam shkue me i lypë ndihmë 1000 lekë (të vjetra), se nuk kishe pare as me marrë bukën, dhe Imzot Çoba mi ka dhanë. Tashti, ju kërkoni që unë “edhe ti shpifem Atij, që më bani nder… A jeni në vete ju, që e kerkoni këtë?!”

Në mbledhjen e lagjes, zonja Bedrije nuk u mjaftue me aq sa i tha në zyrën e Sigurimit, po me një guxim të paharrueshëm, Ajo ua përplasi për surrati veprat dhe moralin e tyne, me të cilët, ata kanë shkatrrue Shkodrën dhe Rininë e Saj…

Fatkeqsisht, zonja Bedrije Ashikja e mbylli jetën me një smundje të randë “harrese”, që ndoshta, shpesh asht edhe per t’ ua pasë zili Atyne fatzezëve që sakrikuen aq shumë!”, shkruar nga Fritz Radovani, Melbourn, SHBA.

Shënim: Prej vitesh, studiuesi Fritz Radovani ka një kontribut të çmuar në botimet e historive që rrëfejnë krimet e komunizmit në Shqipëri/Kujto.al/



Shpërndaje