Raporti i Reporterëve pa Kufi (RSF) ka konfirmuar se ushtria izraelite është përgjegjëse për 1 në 3 të vdekjeve të panatyrshme të gazetarëve në mbarë botën këtë vit
RSF publikoi raportin e tij të vitit 2024 lidhur me situatën e gazetarëve në mbarë botën.
Sipas raportit, 550 gazetarë janë të arrestuar, 55 gazetarë robër dhe 95 gazetarë janë të zhdukur në mbarë botën në vitin 2024.
Këtë vit në mbarë botën u vranë 54 gazetarë, ndërsa kjo u regjistrua si shifra më e lartë në 5 vitet e fundit. Shumica e gazetarëve në fjalë u vranë në mjedisin e konfliktit.
Këtë vit, një në çdo tre gazetarë në botë e humbi jetën nën bombat e ushtrisë izraelite. Ndërkohë 16 prej tyre humbën jetën në Gaza dhe 2 në Liban.
Ndërsa numri i gazetarëve të vrarë në Gaza që nga tetori i vitit 2023 ka kaluar 145 dhe të paktën 35 prej tyre u vunë në shënjestër të ushtrisë izraelite ose u vranë në krye të detyrës.
Duke vënë theksin se ka prova të mjaftueshme se dhjetëra gazetarë në Gaza dhe Liban janë shënjestruar dhe vrarë nga Izraeli për shkak të profesionit të tyre, RSF deri më tani ka përcjellë 4 ankesa në Gjykatën Penale Ndërkombëtare (GJNP) me arsyetimin se ushtria izraelite ka kryer krime lufte kundër gazetarëve.
Izraeli është bërë burgu i tretë më i madh për gazetarët këtë vit.
Drejtori i Përgjithshëm i RSF-së, Thibaut Bruttin, tha për gazetarët e shënjestruar dhe vrarë nga Izraeli në Gaza se “Shumica e këtyre gazetarëve mund të identifikoheshin dhe mbroheshin për shkak të statusit të tyre, por megjithatë ata u vranë në sulmet e Izraelit i cili injoron qëllimisht marrëveshjet ndërkombëtare”.
Bruttin vuri në dukje se gazetave të huaja u ndalohet hyrja në Rripin e Gazës që është nën sulmet izraelite, dhe më tej bëri vlerësimin e tij se “Gaza është bërë rajoni më i rrezikshëm për gazetarët në vitin 2024; madje edhe gazetaria këtu është nën kërcënimin e zhdukjes”.