Shqiptarët në veri, të huajt në jug – INSTAT: Turistët preferuan plazhet. Veriu tërhoqi vendasit…

Shpërndaje

Shqiptarët në veri, të huajt në jug. Një palë zgjodhi të shijonte plazhet e diellin, ndërsa tjetra malet dhe natyrën e paprekur. Sipas të dhënave të fundit nga Instituti i Statistikave, gjatë muajit shtator, qytetarët e huaj zgjedhën të kalonin pjesën më të madhe të netëve në strukturat akomoduese të jugut të Shqipërisë. Ata përfituan nga bregdeti i bukur dhe plazhet atraktive të rajonit, ku pati një rritje të dukshme të numrit të vizitorëve të huaj.

E kundërta ndodhi me shqiptarët, të cilët preferuan të frekuentonin veriun, ku natyra malore dhe atraksionet turistike ofruan mundësi për një pushim më të qetë dhe më afër natyrës.

Shifrat tregojnë se pati një dyfishim të numrit të turistëve të huaj që vizituan jugun. Në shtator të vitit 2023, shifra e të huajve që kaluan natën në këtë zonë ishte rreth 60 mijë, ndërsa këtë vit, në shtatorin e vitit aktual, kjo shifër arriti në 101 mijë.

Nga ana tjetër, zona e veriut pati një ulje të numrit të të huajve që qëndruan në këtë rajon, duke u reduktuar nga 54 mijë vizitorë vitin e kaluar në rreth 50 mijë këtë vit.

Shqiptarët, nga ana e tyre, të nxitur edhe nga zhvillimi që po merr turizmi malor, preferuan gjithnjë e më shumë të kalonin pushimet në veri.

Numri i shqiptarëve që u akomoduan në këtë pjesë të vendit u rrit nga 25 mijë në 28 mijë. Kjo rritje pasqyron një trend të dukshëm të ndryshimit të preferencave, duke u fokusuar në turizmin malor dhe aventurën që ofron veriu.

Çmimet e larta që shoqëruan këtë sezon turistik ndikuan gjithashtu në zgjedhjet e shqiptarëve për destinacionet e pushimeve. Çmimet e akomodimit në jug të vendit u rritën ndjeshëm, gjë që bëri që shumë shqiptarë të kërkonin mundësi më të përballueshme në veri.

Shpërndaje