Rënia e kursit të këmbimit euro-lek po thyen rekorde të reja edhe këtë javë.
Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, të martën euro u këmbye me 98.38 lekë, niveli më i ulët i të gjitha kohërave. Kjo ishte dita e gjashtë radhazi që euro arrin një minimum të ri historik në kursin e këmbimit me lekun.
Kursi i këmbimit euro-lek ka rënë me 5.3% që nga fillimi i këtij viti dhe me 6.9% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Gjatë muajit tetor, Banka e Shqipërisë ka rifilluar ndërhyrjet në tregun valutor, duke blerë euro me qëllim për të frenuar rënien e mëtejshme të kursit. Pavarësisht këtyre ndërhyrjeve, euro ka vazhduar të bjerë, por mund të supozohet se rënia do të kishte qenë më e madhe në mungesë të këtyre ndërhyrjeve.
Banka e Shqipërisë këtë vit ka realizuar blerje të valutës në vlerat më të mëdha historike. Vetëm për 6-mujorin e parë janë blerë gjithsej 134.2 milionë euro në ankandet e planifikuara për nevojat e rezervës valutore, ndërsa edhe më shumë, 137.6 milionë euro, janë blerë me operacione të drejtpërdrejta, me qëllim për të shmangur forcimin e mëtejshëm të lekut në kursin e këmbimit valutor, për një total prej 272 milionë eurosh.
Në muajin gusht Banka e Shqipërisë u tërhoq përkohësisht nga blerjet direkte dhe kjo bëri që kursi i euros të binte poshtë nivelit të 100 lekëve. Megjithatë, prej muajit tetor duket se presionet rënëse mbi kursin e euros janë forcuar, duke e shtyrë Bankën e Shqipërisë drejt ndërhyrjeve të tjera në treg për të mos lejuar lekun të forcohet në përmasa edhe më të mëdha. Ndërhyrjet Bankës së Shqipërisë janë argumentuar në funksion të objektivit të inflacionit. Në shtator inflacioni zbriti në 1.9%, niveli më i ulët në tre vjet.
Pavarësisht përpjekjeve të Bankës së Shqipërisë, duket se oferta e lartë e euros në treg e bën të vështirë ringritjen e kursit të monedhës europiane. Oferta e lartë e euros mund të shpjegohet me prurjet nga turizmi dhe me vlerat e larta të investimeve të huaja, veçanërisht në pasuri të paluajtshme. Veçanërisht në sektorin e pasurive të paluajtshme, ekziston një perceptim i përgjithshëm se një pjesë e investimeve burojnë prej të ardhurave të siguruara nga aktivitete të paligjshme apo informale.
Nga ana tjetër, edhe oferta e shtrënguar e lekut po ndikon paralelisht në forcimin e mëtejshëm të monedhës vendase. Në vitet e fundit, qeveria po ndjek politikë fiskale konsoliduese, me suficite të larta buxhetore në pjesën më të madhe të vitit. Një gjë e tillë po ndodh edhe këtë vit. Të dhënat paraprake tregojnë se në fund të 9-mujorit, suficiti buxhetor arriti vlerën rekord të 69 miliardë lekëve./Monitor/