Rritja e interesit turistik për Shqipërinë ka sjellë në vëmendje nevojën për të zhvilluar disa hallka të tjera të rëndësishme që rrisin përfitimet për ekonomitë lokale.
Bëhet fjalë për zhvillimin e aftësive krijuese dhe nxitjen e zejtarisë dhe produkteve tradicionale që janë një element i rëndësishëm i turizmit. Pikërisht këtë synon të arrijë një konsulencë e ofruar përmes programit të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim që synon përmirësimin e infrastrukturës dhe aksesit në zonat me potencial turistik.
Konkretisht në sistemin e prokurimeve të BERZH, Fondi Shqiptar i Zhvillimit (FSHZH) çeli një tjetër procedurë prokurimi që ka në objekt të saj “Zhvillimin e aftësive dhe nismave mbështetëse të ndjeshme gjinore për rimëkëmbjen e zejeve, tregtisë dhe produkteve tradicionale”.
Afati i fundit për paraqitjen e ofertave sipas të dhënave në faqen e BERZH është data 2 dhjetor.
Projekti i BERZH që përfshin një sërë zonash turistike në vend përmbledh jo vetëm aspektet e konsulencës por edhe të punimeve civile në segmente rrugore të rëndësishme.
Kështu pak ditë më parë BERZH njoftoi fituesin për rrugën Shirokë-Zogaj dhe kufi me Malin e Zi një rrugë kjo e kërkuar prej vitesh nga banorët e zonës por edhe si nevojë e zhvillimit turistik që ka pësuar ky rajon.
Me një ofertë 4.7 milionë euro kompania fituese pritet që të plotësojë gjithashtu përveç përmirësimit të rrugës edhe furnizimin me ujë dhe largimin e ujërave të ndotura.
Më herët gjatë korrikut nga ana e FSHZH u çel tenderi për rrugën e Velipojës e cila është gjithashtu një zonë me potencial të lartë turistik.
Ky projekt që zhvillohet gjithashtu në Bashkinë e Shkodrës, është një vazhdim i projektit të urës së re mbi lumin Buna në zonën kufitare Shqipëri-Mali i Zi.
Ai do të lidhë urën mbi lumin Buna me rrugën nacionale Shkodër-Velipojë, pikën e kalimit kufitar dhe infrastrukturën ndihmëse.
Projekti bën pjesë në programin që BERZH për përmirësimin e infrastrukturës në zonat turistike dhe që po zbatohet prej disa vitesh.
Ai ka një vlerë prej 40 milionë euro të financuara me grante dhe kredi të Bashkimit Europian, BERZH por edhe kontribut nga buxheti i shtetit./N.Maho