4.7 mln euro investime në rrugën Shirokë – Zogaj/ BERZH lidh kontratën edhe për ndërhyrje në ujësjellës-kanalizime, mbyllet në tetor 2025…

Shpërndaje

Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim ka nënshkruar kontratën me kompaninë fituese që do të kryejë punimet për rikonstruksionin dhe përmirësimin e rrugës Shirokë – Zogaj – Kufiri me Malin e Zi, si dhe sistemet e ujësjellësit dhe ujërave të zeza Shirokë – Zogaj, në Qarkun e Shkodrës. Kontrata ka një vlerë prej rreth 4.7 mln euro, teksa afati i përfundimit të punimeve është data 2 tetor 2025.

Tenderi që është fituar nga kompania Alb-Star u hap në muajin maj të këtij viti, ndërsa ndërhyrjet janë pjesë e projektit për Infrastrukturën dhe Turizmin në Shqipëri, që financohet nga Bashkimi Evropian nëpërmjet asistencës teknike dhe granteve të investimeve në një shumë totale prej 40 milionë euro, si dhe nga kredia sovrane plotësuese e dhënë nga BERZH për qeverinë e Shqipërisë.

Sipas bankës, Rruga Shirokë-Zogaj gjatë viteve të fundit ka regjistruar një rritje të konsiderueshme të përdoruesve të trafikut, veçanërisht gjatë sezonit të verës, për shkak të rritjes të lartë të turistëve vendas dhe të huaj, duke shijuar komoditetet natyrore përgjatë liqenit të Shkodrës dhe atraksionet e ndryshme turistike të kësaj zone të mbrojtur mjedisore. Për këto arsye, sipas BERZH rehabilitimi i kësaj rruge është kthyer në një çështje prioritare, sepse është absolutisht e nevojshme./scan/

Shpërndaje