Kryeministri Edi Rama në takimin e zhvilluar me kryetarët e bashkive ka prezantuar programin “Paketa e maleve” për zhvillimin e turizmit malor.
Kryeministri Edi Rama theksoi se “Paketën e maleve” duhet ta përdorin si instrument kryetarët e bashkive, që kanë kontakte të drejtpërdrejta me individët, si në emigracion apo ata që jetojnë në zonat urbane me qëllim zhvillimin e investimeve turistike.
Nëpërmjet kësaj pakete synohet që të mbështeten për investime turistike pronarët e pronave në zonat malore, por që janë braktisur prej tyre për shkak të emigracionit apo lëvizjes drejt zonave urbane.
“Kemi përfunduar “Paketën e maleve” për të mbështetur të gjithë ata që janë jashtë, emigrantët dhe që duan ndihmë për të investuar në shtëpitë e tyre për t’i kthyer në shtëpi turistike. Paketa e maleve mund të përdoret si nga ata që jetojnë jashtë, edhe nga ata që jetojnë në Tiranë.
Paketa është pozitive dhe kemi punuar shumë për hartimin e saj. Është një paketa që duhet ta përdorini ju, për t’i dhënë shtysë apo për t’i inkurajuar atyre që e kanë me 2 mendje. Në Theth kemi takuar një djalë, që me biznesin e tij ndihmon motrën e vëllain që punojnë në Itali.
Paketën e maleve ta përdorin si instrument kryetarët e bashkive, sepse kanë kontakte të drejtpërdrejta me individët”, u shpreh Rama.
Gjatë takimit kryeministri Edi Rama diskutoi me kryebashkiakët edhe bilancet e rindërtimit, për strehimin e banorëve që mbetën të pastrehë pas tërmetit të 2019-s.
Për familjarët që është ndërprerë bonusi i qirasë, Rama tha se strehimi i tyre do të bëhet nëpërmjet projekteve të strehimit social.